Gjendet i pajetë në det një peshkatar në bregdetin e Sarandës.
Ngjarja ka ndodhur në afërsi të ishujve të Ksamilit, teksa viktima është identifikuar si Mihal Zoi, 61 vjeç. Nga të dhënat paraprake dyshohet se është mbytur. Policia ka gjetur edhe mjetin lundrues të viktimës, i cili ishte fundosur.
Ngjarja dyshohet të ketë ndodhur mbrëmjen e djeshme gjatë stuhisë, por po hetohet në dy pista, atë të mbytjes aksidentale për shkak të motit të keq por edhe atë të vetë-mbytjes.
Viktima ishte i divorcuar dhe fëmijët i ka në Greqi. Nuk rezulton të ketë familjarë të tjerë në Shqipëri veç një motre. Policia po vijon hetimet.
“Sot, rreth orës 11:00, përballë Ishujve të Ksamilit, është konstatuar trupi i pajetë i shtetasit M. Z., 61 vjeç, peshkatar. Nga këqyrja paraprake e kryer në vendngjarje dyshohet se shtetasi ka humbur jetën si pasojë e mbytjes në ujë, pasi dyshohet se kishte dalë për peshkim. Shërbimet e Policisë kanë gjetur edhe mjetin lundrues me të cilin 61-vjeçari dyshohet se kishte dalë për peshkim”, njoftojnë blutë.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon veprimet për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Top Channel