Princi George mbush 13 vjeç, familja mbretërore publikon portretin e ri të tij Detaje të reja kanë dalë në dritë nga vrasja e ish-ministres konservatore britanike Ann Widdecombe, e cila u sulmua për vdekje më 8 korrik në shtëpinë e saj në Haytor, në periferi të Parkut Kombëtar Dartmoor në Devon.
Sipas provave të paraqitura në Gjykatën e Magjistraturës në Westminster, 78-vjeçarja u godit 21 herë me çekiç në kokë ndërsa ishte ulur në kuzhinë duke ngrënë drekë. Prokuroria tha se sulmi zgjati vetëm rreth dy minuta.
Për vrasjen akuzohet 28-vjeçari Joshua Kerry, i cili u arrestua tre ditë pas krimit në shtëpinë e tij në Rotherham, mbi 400 kilometra larg vendit të ngjarjes. Ai u paraqit para gjykatës i veshur me uniformë burgu, konfirmoi vetëm identitetin e tij dhe më pas u transferua në gjykatën Old Bailey, ku u la në paraburgim. Seanca e radhës është caktuar më 9 tetor, ndërsa gjyqi pritet të nisë më 8 qershor 2027.
Pamjet e një kamere sigurie të vendosur në korridorin e banesës kanë rindërtuar momentet e sulmit. Sipas prokurorit Kashif Malik, Widdecombe shihet duke ngrënë drekë kur Kerry hyn nga dera e përparme, e lënë e hapur, me doreza të zeza dhe një çekiç të fshehur pranë trupit.
Para sulmit, ai dyshohet se e pyeti: “A ke rastësisht ndonjë kartë krediti ose dokument identifikimi?”. Më pas, sipas prokurorisë, ai e goditi 21 herë me çekiç në kokë, e rrëzoi nga karrigia, mori portofolin nga çanta dhe u largua me shpejtësi.
Hetuesit thanë se kamerat kanë filmuar edhe mbërritjen e një automjeti Vauxhall Corsa të kuq, që besohet se përdorej nga i dyshuari. Një çekiç dhe një palë doreza të zeza, ku u gjet ADN-ja e viktimës, u sekuestruan në kontejnerët e mbeturinave pranë banesës së Kerry-t.
Trupi i Ann Widdecombe u zbulua një ditë më vonë, pasi ajo nuk u paraqit në një intervistë të planifikuar drejtpërdrejt për Channel 5. Pas njoftimit nga stafi i televizionit, asistenti i saj personal kërkoi që kopshtari të kontrollonte banesën, ku ai e gjeti ish-ministren të pajetë në dyshemenë e kuzhinës. Shkaku paraprak i vdekjes u përcaktua si trauma në kokë e shkaktuar nga një mjet i fortë.
Megjithëse portofoli i viktimës u vodh, hetuesit dyshojnë se grabitja nuk ishte motivi i vetëm, pasi mbetet e paqartë pse i dyshuari udhëtoi qindra kilometra për të arritur në shtëpinë e saj. Prokuroria e ka cilësuar sulmin si të planifikuar dhe të synuar, ndërsa Scotland Yard po heton nëse pas krimit fshihet një motiv politik apo terrorist. Deri tani janë ndjekur më shumë se 800 pista hetimi.
“Duke pasur parasysh profilin e Ann Widdecombe dhe natyrën e synuar të sulmit, përcaktimi i motivit, përfshirë çdo motivim të mundshëm politik, mbetet pjesë e hetimit aktiv”, deklaroi Laurence Taylor, drejtues i antiterrorizmit në Mbretërinë e Bashkuar.
Për momentin, Joshua Kerry është akuzuar vetëm për vrasje dhe policia ka bërë të ditur se nuk po kërkon persona të tjerë të përfshirë në këtë çështje.
Ann Widdecombe ishte deputete konservatore nga viti 1987 deri në 2010 dhe mbajti disa poste qeveritare gjatë mandatit të John Major, përfshirë atë të nënsekretares për burgjet. Më vonë iu bashkua Partisë Brexit të Nigel Farage dhe më pas Reform UK, ku shërbeu si zëdhënëse për çështjet e imigracionit dhe drejtësisë. Përveç politikës, ajo ishte e njohur edhe për pjesëmarrjen në emisione televizive si Strictly Come Dancing dhe Celebrity Big Brother.
Vrasja e saj ka rikthyer në vëmendje shqetësimet për sigurinë e figurave politike në Mbretërinë e Bashkuar, pas rasteve të mëparshme të vrasjes së deputetes Jo Cox në vitin 2016 dhe deputetit David Amess në vitin 2021. Hetimet për motivin e sulmit ndaj Widdecombe vijojnë.
Top Channel