Pogradeci mirëpriti edicionin e parë të Kampionatit Ndërliqenor të Shahut, një aktivitet që mblodhi në të njëjtën tryezë sportistë nga Pogradeci, Ohri dhe Struga. I organizuar në kuadër të 20 Korrikut, Ditës Ndërkombëtare të Shahut, turneu solli së bashku garues të moshave të ndryshme, duke hedhur themelet e një bashkëpunimi të ri sportiv mes tre qyteteve të Liqenit të Ohrit.

Ky aktivitet synon të kthehet në një traditë të përvitshme, me organizim të alternuar mes Pogradecit, Ohrit dhe Strugës. Organizatorët e shohin kampionatin si një mënyrë për të forcuar lidhjet mes komuniteteve, për të promovuar sportin e shahut dhe për të krijuar më shumë mundësi bashkëpunimi ndërkufitar.

Pjesëmarrësit e vlerësuan turneun si një eksperiencë të rëndësishme sportive, ku patën mundësinë të përballen me kundërshtarë nga qytete të ndryshme dhe të shkëmbejnë përvojat e tyre.

Në përfundim të garës, skuadra e Strugës u shpall fituese e edicionit të parë të Kampionatit Ndërliqenor. Flamuri i organizimit do t’i kalojë vitin e ardhshëm Ohrit, ndërsa më pas Strugës, me synimin që kjo nismë të konsolidohet si një aktivitet i përvitshëm që bashkon sportistët e rajonit përmes shahut.

Top Channel