Ligji për Turizmin “trazon” Kuvendin/ PS: Ligji i ri për standardet. Opozita akuzon se është zgjatim i “investimeve strategjike”

21/07/2026 15:03

Nga yjet e hoteleve, te ndalimi i zhurmave të ndërtimeve gjatë sezonit turistik dhe regjistri qendror i turizmit.

Me argumentin se Shqipëria ka nevojë për më shumë standarde në një sektor që po njeh rritje të shpejtë, deputeti socialist Taulant Balla prezantoi në Komisionin për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin ndryshimet e propozuara në ligjin për turizmin. Sipas tij, këto ndërhyrje do ta rendisin vendin më mirë në hartën e turizmit ndërkombëtar.

“Ndërhyrje në fazën e projektimit dhe lejes së ndërtimit, në mënyrë që struktura të ndërtohet me standarde. Nuk mund të nisë pallat dhe të mbarojë hotel; të nisë hotel dhe të vazhdojë hotel. Thjeshtimi i kategorizimit. Forcimi i detyrimit të strukturave për regjistrimin elektronik të klientëve dhe menaxhimin e mbetjeve. Lidhen me përgjegjësinë e subjektit. Të dimë kush qëndron, për të pasur një databazë dhe numër të saktë. Administrimi i mbetjeve nga hotelet. S’mund t’i depozitojnë te koshat për qytetarët. Përmirësimi i të dhënave statistikore nëpërmjet Regjistrit Qendror të Turizmit. Është e papranueshme që një strukturë hoteliere të presë turistët dhe ngjitur betonierja të vazhdojë me zhurmën e tmerrshme. Jo më yje të vendosura nga pronari. Kush do të ndërtojë gjatë verës, s’do të lejohet të bëjë zhurmë”, u shpreh Taulant Balla.

Jo të gjitha ndryshimet gjetën mbështetje në komision. Deputeti i opozitës, Redi Muçi, ngriti dyshime se një prej neneve të projektligjit po kthehet në një zgjatim të ligjit për investimet strategjike. Në nenin 1 thuhet se: “Me propozim të ministrit përgjegjës për turizmin, Këshilli i Ministrave mund të vendosë ndryshimin e përgjegjësisë së administrimit të zonës me përparësi zhvillimin e turizmit për realizimin e projekteve ose investimeve me interes publik ose me rëndësi kombëtare që kontribuojnë në zhvillimin ekonomik të vendit.”

Më duket zgjatim i ligjit famëkeq për investimet strategjike. Siç e keni pranuar, është një ligj që ka skaduar, por për shkak të ndërhyrjes së partnerëve ndërkombëtarë është ngulur këmbë që të shfuqizohet, dhe tani zgjatimin po e bëni nëpërmjet këtij projektligji. Pra, ligji thotë të merret në dorë nga kryeministri”, tha Redi Muçi.

Top Channel