Treg i huaj për vajin e ullirit/ Fermerët ankohen se nuk kanë shitur ende atë të vitit të kaluar, detyrohen ta shesin jashtë

19/07/2026 12:17

Edhe pse kanë mbetur rreth dy muaj nga nisja e sezonit të ri të vjeljes së ullirit, shumë fermerë në qarkun e Fierit ende nuk kanë arritur të shesin vajin e ullirit të prodhuar vitin e kaluar.

Hasan Hasani, fermer 82-vjeçar nga Frakulla, prej shtatë vitesh kultivon rreth 600 rrënjë ullinj të certifikuar për prodhim bio. Pavarësisht cilësisë së lartë të produktit, ai thotë se nuk gjen treg për vajin që prodhon. Në mungesë të pikave të grumbullimit në zonë, fermerët detyrohen ta shesin vajin jashtë vendit, duke paguar rreth 1 euro për litër vetëm për transportin. Sipas tyre, në këtë mënyrë tregtimi nuk pajisen as me faturë tatimore.

Edhe përpunuesit e vajit të ullirit konfirmojnë vështirësitë që po kalon sektori. Sipas Viktor Pajës, shumë fermerë në zonën e Mallakastrës kanë lënë ullishtet pa kujdesin e duhur dhe rrezikojnë të mos e vjelin prodhimin këtë vit, pasi ende nuk kanë shitur vajin e sezonit të kaluar. Një nga arsyet kryesore është konkurrenca e vajit të importit, i cili, megjithëse shpesh me cilësi më të ulët, shitet me çmime që e bëjnë të vështirë konkurrimin e prodhimit vendas.

Fermerët kërkojnë që shteti të ndërhyjë si rregullator i tregut, duke mbështetur prodhimin vendas dhe duke krijuar mekanizma më efektivë për shitjen e vajit të ullirit. Sipas të dhënave të databazës së Kombeve të Bashkuara për tregtinë ndërkombëtare, Shqipëria importoi gjatë vitit 2024 rreth 721.5 ton vaj ulliri, një sasi që, sipas prodhuesve vendas, ka ndikuar drejtpërdrejt në vështirësitë e tyre për të gjetur treg.

Top Channel