U nda nga jeta pas një aksidenti në Zvërnec, kush ishte gazetari Enrik Mehmeti. Nga përkthyes në kampin “Alba” te raportimi për mbi 20 vite nga qyteti i Vlorës
Seanca e së shtunës për masat e sigurisë ndaj tri të dyshuarave për “zhdukjen” e 69 milionë lekëve në filialin e Postës Shqiptare në Durrës u shoqërua me akuza të forta nga prokuroria dhe kundërshtime të forta nga mbrojtja e ish-drejtoreshës Elisabeta Mataj, e cila është gjithashtu anëtare e Këshillit Bashkiak dhe anëtare e Këshillit Drejtues të Autoritetit Portual Durrës
Sipas organit të akuzës, lëvizja e vlerave monetare është kryer në kundërshtim me rregulloren, pa shoqërimin e detyrueshëm të sigurisë fizike, ndërsa në muajt prill dhe maj janë kryer veprime kontabël që nxorën nga arka qendrore rreth 69 milionë lekë, pa u regjistruar si hyrje në degët e Shijakut dhe Krujës. Prokuroria foli edhe për mandatpagesa të dyshuara të falsifikuara dhe e akuzoi drejtpërdrejt Matajn për përvetësimin e shumës, që u kundërshtua nga ajo dhe mbrojtja, raporton korrespondentja e Top Channel Vali Qyrfyçi.
Një tjetër element i paraqitur nga prokurori ishte frekuentimi i kazinove nga ish-drejtoresha dhe bashkëshorti i saj. Sipas akuzës, Mataj rezulton të ketë hyrë 335 herë në kazino në Tiranë, si dhe 27 herë, ose një ditë po, një ditë jo, gjatë periudhës prill-maj kur mungojnë 69 milionë lekët, ndërsa bashkëshorti i saj ka 340 hyrje gjatë muajve të fundit.
Me vendim të prokurorit janë siguruar pamjet filmike të hyrje-daljeve nga dy kazinotë kryesore në Tiranë të çiftit Mataj, ndërsa mbrojtja e konsideroi cenim të jetës private.
Pas seancës gjyqësore dhe pasi u njoh me vendimin e gjykatës, Feta Mataj, bashkëshorti i Elisabetës, tha se ka 8 vjet që frekuentojnë kazinotë dhe nuk ka lidhje ky frekuentim me çështjen e postës.
Mbrojtja e Matajt kërkoi bashkimin e procedimeve penale dhe administrimin e të gjitha pamjeve filmike, duke pretenduar se një pjesë e provave të Mataj nuk janë përfshirë në dosjen e akuzës, gjë që cenon barazinë në proces.
Avokatja Gerta Gorjani kërkoi një masë më të butë sigurie, duke theksuar se Mataj është nënë e 6 fëmijëve dhe duke argumentuar se nuk ekziston rreziku i largimit. Ajo kundërshtoi edhe pretendimin e prokurorisë se klientja ishte larguar nga Shqipëria nga Kapshtica më 10 korrik për t’iu shmangur drejtësisë, duke sqaruar se hyrja e saj në vend ishte kryer nga pika kufitare e Morinës, e cila nuk regjistrohet në sistemin TIMS sipas marrëveshjeve me Kosovën.
Në mbrojtje u sollën edhe dokumente që, sipas avokatëve, tregojnë se vetë Mataj kishte sinjalizuar prej muajsh, duke nisur që nga marsi, shkelje në sektorin e financës. Sipas tyre, ajo kishte nxjerrë urdhra për kufizimin e hyrjeve në arkë, kishte kërkuar kontrolle, kishte propozuar masa disiplinore për arkëtaren dhe shefen e financës, si dhe kishte informuar vazhdimisht Drejtorinë e Përgjithshme për problematikat e konstatuara, pa marrë reagimin e duhur.
Nga ana tjetër, ish-shefja e financës Valbona Duni deklaroi se paratë janë marrë nga zyra e saj nga drejtoresha dhe nuk janë kthyer më, ndërsa arkëtarja Paola Dana u shpreh se nuk ka përfituar asnjë shumë dhe se në Postë
“Pa urdhrin e drejtoreshës nuk lëviz as miza. E dinë të gjithë”. Nënë e një fëmije 1.5 vjeç, ajo tha se paratë ia kishte dorëzuar shefes së financës në çdo rast.
Gjykata vendosi “arrest në burg” për Matajn, ndërsa për shefen e financës Valbona Duni dhe arkëtaren Paola Dana caktoi masën “arrest në shtëpi”.
Për këtë çështje janë regjistruar tre kallëzime penale: Posta kundër të trijave, Valbona Duni kundër Elisabeta Mataj dhe drejtoresha Mataj kundër Valbona Dunit dhe Paola Danës. Kallëzimet pritet të bashkohen në një procedim të vetëm nga prokuroria.
Top Channel