Manchester United e nis keq fazën përgatitore, “Djajtë e Kuq” munden nga skuadra e yjeve të Hollywood-it

18/07/2026 20:14

Manchester United e ka nisur me humbje fazën përgatitore për sezonin e ri, pasi u mposht 1-0 nga Wrexham në ndeshjen e zhvilluar në Helsinki të Finlandës.

Golin e vetëm të takimit e realizoi Sam Smith në minutën e 39-të, duke e dërguar lehtësisht topin në rrjetë pas një krosimi të Lewis O’Brien, ndërsa mbrojtja e United nuk reagoi si duhet.

Skuadra e drejtuar nga Michael Carrick u paraqit pa futbollistët që morën pjesë në Kupën e Botës, përfshirë edhe përforcimin e ri Youri Tielemans, si dhe Benjamin Sesko. Megjithatë, trajneri aktivizoi një formacion të fortë para rreth 20 mijë tifozëve në kryeqytetin finlandez.

Debutimin e tij e bëri edhe mesfushori brazilian Andre Santos, i transferuar nga Chelsea në fillim të javës për rreth 56 milionë euro. Ai pati një ndërhyrje vendimtare që në sekondat e para, duke larguar rrezikun pas një pasigurie të portierit Tom Heaton.

Wrexham u shfaq më i rrezikshëm gjatë pjesës së parë dhe e kurorëzoi paraqitjen me golin e Smith, ndërsa pas pushimit të dy trajnerët bënë ndryshime të shumta. Carrick hodhi në fushë një formacion të përbërë tërësisht nga lojtarë të akademisë.

Manchester United dominoi posedimin në pjesën e dytë, por nuk arriti të krijojë raste të pastra shënimi. Në minutat shtesë, Dan Gore kërkoi penallti pas një kontakti në zonë, por arbitri vazhdoi lojën.

Humbja ndaj Wrexham shënon një fillim jo ideal për Manchester United në ndeshjet miqësore të verës, ndërsa ekipi do të synojë të reagojë në sfidat e ardhshme përpara nisjes së sezonit të ri

Top Channel