Shtypi i viteve 1950-1990 ekspozohet në Muzeun e Luftës së Ftohtë në Gjirokastër

16/07/2026 12:28

Gazetat dhe botimet e periudhës 1950–1990 janë bërë pjesë e një ekspozite të veçantë të çelur nga Biblioteka “Apostol Meksi” në ambientet e Muzeut të Luftës së Ftohtë në Gjirokastër.

Të vendosura përgjatë mureve të tunelit, materialet u japin vizitorëve mundësinë të njihen me mënyrën se si pasqyroheshin ngjarjet, propaganda dhe jeta e përditshme gjatë regjimit komunist, duke e kthyer vizitën në një përjetim edhe më të plotë historik.

Ekspozita ka zgjuar interes të veçantë tek turistët vendas dhe të huaj, të cilët, përveç eksplorimit të hapësirave të tunelit, ndalen për të lexuar artikujt dhe titujt e gazetave të ruajtura ndër vite.

Tuneli ishte shumë më i madh nga sa e kisha imagjinuar. Qyteti është i qetë, shumë i bukur dhe pamja është fantastike. Ekspozita me gazetat e bën vizitën tonë edhe më interesante dhe na ndihmon të kuptojmë më mirë historinë e këtij vendi”, shprehet turistja.

Tuneli është shumë interesant dhe me një histori të veçantë. Vizitova të gjitha hapësirat, përfshirë mensën, ndërsa gazetat e ekspozuara nga periudha e diktaturës e bëjnë këtë vend edhe më domethënës. Do t’ua rekomandoja të gjithëve të vizitonin Gjirokastrën dhe Shqipërinë, sepse është vërtet një përvojë e mrekullueshme”, tha një turist nga Italia.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur për 10 ditë, ndërsa organizatorët bëjnë me dije se kjo është vetëm nisma e parë. Në vijim, hapësirat e Muzeut të Luftës së Ftohtë do të pasurohen me ekspozita të tjera tematike, me synimin për të rritur vizitueshmërinë dhe për ta kthyer këtë objekt historik në një destinacion kulturor gjithnjë e më tërheqës gjatë gjithë vitit.

Top Channel