Aksion si nëpër filma në Sarandë, 4 makina policie rrethojnë brenda tunelit transportuesin e armëve

16/07/2026 09:50

Një aksion i mirëorganizuar i Policisë së Sarandës ka përfunduar me arrestimin e një 31-vjeçari në tunelin e Skërficës, teksa transportonte 4 pistoleta të fshehura në automjetin e tij.

Operacioni i koduar “Mekanizmi” u zhvillua pas një hetimi me metoda speciale, ndërsa forcat e policisë kanë mbajtur nën vëzhgim automjetin dhe kanë ndërhyrë në momentin kur ai kalonte në tunelin e Skërficës, duke e rrethuar me disa mjete policie.

Në pranga ra Kejdi Banaj, 31 vjeç, banues në Tiranë, i cili sipas policisë ka precedent penal në fushën e narkotikëve.

Gjatë kontrollit të automjetit, efektivët gjetën të fshehura në dyshemenë e makinës katër pistoleta tip “Glock”. Sipas hetimeve paraprake, dyshohet se armët janë trafikuar në pjesë të ndryshme dhe më pas janë montuar në Shqipëri, me qëllim shitjen e tyre te një grup kriminal në Sarandë.

Njoftimi i policisë

Sarandë/Finalizohet si rezultat i një hetimi me metoda speciale, operacioni i koduar “Mekanizmi”.

Transportonte 4 pistoleta, kapet në tunelin e Skërficës, dhe vihet në pranga 31-vjeçari (me precedent në fushën e narkotikëve).

Nga hetimi dyshohet se armët janë trafikuar në pjesë dhe janë montuar në Shqipëri, për t’ia shitur një grupi kriminal në Sarandë.

Sekuestrohen armët e zjarrit dhe automjeti që drejtonte i arrestuari, në dyshemenë e të cilit, ishin fshehur armët.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Sarandë, si rezultat i një hetimi me metoda speciale, kryer në drejtimin e Prokurorisë, me qëllim identifikimin dhe ndalimin e shtetasve, të cilët individualisht ose në grup, përbëjnë rrezik për kryerje të ngjarjeve kriminale dhe për sigurinë e qytetarëve, finalizuan në bashkëpunim me shërbimet e Njësisë së Sigurisë Publike, Njësia Fier, dhe me shërbimet e Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale të DPPSh-së, operacionin e koduar “Mekanizmi”.

Si rezultat i operacionit u arrestua në flagrancë shtetasi Kejdi Banaj, 31 vjeç, banues në Tiranë.

Shërbimet e Policisë kanë mbajtur në vëzhgim automjetin që drejtonte 31-vjeçari dhe në tunelin e Skërficës kanë kryer ndalimin e tij.

Nga kontrollet në automjet u gjetën të fshehura në dysheme, 4 armë zjarri (pistoleta) që dyshohet se janë trafikuar në Shqipëri, në pjesë, dhe janë montuar më pas, me qëllim shitjen një grupi kriminal në Sarandë.

Hetimi vijon me qëllim identifikimin dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale, të shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë rast.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Top Channel