“Kushdo që përfshihet në krim do të mbajë përgjegjësi”, Braho: SPAK ka nisur 46 hetime për zgjedhjet
Finalizohet, si rezultat i ndjekjes disajavore të informacioneve të siguruara në rrugë operative, operacioni antidrogë i koduar “Lightning” në Lezhë.
Zbulohen në fshatin Velë, 5 ambiente të mbyllura dhe të hapura, për kultivim të bimëve narkotike.
Arrestohen në flagrancë 2 autorët e kësaj veprimtarie kriminale, shtetasi Marin Feta dhe Anton Mashnori.
Asgjësohen në total 174 bimë të dyshuara narkotike Cannabis Sativa.
Sekuestrohen 2 armë gjahu që mbanin autorët, pajisje që furnizoheshin me lidhje të paligjshme të energjisë elektrike dhe i shërbenin kultivimit të bimëve narkotike në ambiente të mbyllura, një sasi lënde e dyshuar narkotike Cannabis Sativa, 1 automjet dhe 18 celularë.
Procedohen penalisht 4 punonjës të OShEE-së.
Si rezultat i administrimit disajavor të një informacioni të siguruar në vijim të punës intensive operative dhe operacionale kundër veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve, se në territorin e fshatit Velë, njësia administrative Kolsh, ishin kultivuar bimë narkotike, në ambiente të mbyllura dhe të hapura, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me specialistët e Seksionit për Mbështetjen Operacionale, shërbimet e Komisariatit të Policisë Lezhë dhe shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, finalizuan operacionin e koduar “Lightning”.
Në kuadër të operacionit u kapën në flagrancë, në ambientet e banesës së përshtatur për këtë qëllim, dhe u vunë ne pranga shtetasit M. F. (pronari i banesës), 39 vjeç, banues në fshatin Velë, dhe A. M., 27 vjeç, banues në Ishull Shëngjin.
Gjatë ndërhyrjes u konstatua se në njërin ambient të banesës, ishin kultivuar me llamba dhe pajisje të tjera që furnizoheshin me lidhje të paligjshme të energjisë elektrike, 119 bimë të dyshuara narkotike, ndërsa 2 ambiente të tjera të së njëjtës banesë ishin përgatitur për të njëjtin qëllim kriminal.
Ndërkaq, si rezultat i kontrolleve të mëtejshme, u konstatuan në afërsi të kësaj banese, 2 parcela, në të cilat ishin kultivuar 55 bimë narkotike Cannabis Sativa, dyshohet nga 2 të arrestuarit.
Në vijim u krye kontroll dhe në banesën e 27-vjeçarit, ku u gjetën 16 celularë. Vijojnë hetimet për të sqaruar mënyrën e sigurimit dhe qëllimin e përdorimit të tyre.
Më tej, u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal, për veprat “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Korrupsioni pasiv”, për shtetasit J. Gj., F. M., N. G. dhe B. N., me detyra përkatëse shef grupi, lexues dhe elektricistë të OShEE-së.
Hetimet vijojnë edhe për identifikimin dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale të shtetasve të tjerë që mund të jenë përfshirë në këtë rast.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Lezhës, për veprime të mëtejshme.
Top Channel