Dortmundi humb terren në garën për Asllanin, rivali i verdhezinjve në “pole position” për shërbimet e yllit shqiptar

15/07/2026 16:07

E ardhmja e Fisnik Asllanit pritet të jetë larg Hoffenheimit këtë verë, ndërsa gara për sulmuesin shqiptar po hyn në një fazë vendimtare.

Sipas raportimit të Sport Bild, RB Leipzig tashmë ka kaluar në “pole position” për transferimin e 23-vjeçarit, duke lënë pas Borussia Dortmundin.

Për një periudhë të gjatë, Dortmundi konsiderohej destinacioni më i mundshëm për Asllanin, por mediumi gjerman shkruan se lojtari është më i prirur t’i bashkohet Leipzigut dhe se një transferim në “Signal Iduna Park” duket gjithnjë e më pak i mundshëm.

Asllani ka një klauzolë largimi prej 30 milionë eurosh në kontratën e tij me Hoffenheimin. Dortmundi e kishte identifikuar si një zëvendësues të mundshëm të Serhou Guirassyt, por gjithçka varet edhe nga e ardhmja e sulmuesit të Kombëtares së Guinesë, i cili ende nuk ka vendosur nëse do të largohet këtë verë.

Ndërkohë, drejtori sportiv i Hoffenheimit, Andreas Schicker, ka konfirmuar se klubi është në bisedime me disa klube për Asllanin.

“Situata është e tillë që ka bisedime me klube brenda dhe jashtë Gjermanisë. Nuk është sekret që Fisnik Asllani ka një klauzolë largimi”, deklaroi Schicker për Kicker.

Përveç Leipzigut dhe Dortmundit, emri i reprezentuesit të Kosovës është lidhur edhe me interesimin e Barcelonës, por sipas zhvillimeve të fundit, RB Leipzig shihet si favoriti kryesor për të siguruar firmën e tij gjatë afatit kalimtar të verës.

Top Channel