Aventura e Emiliano “Dibu” Martinez te Aston Villa duket se do të vazhdojë, pavarësisht interesimit të Juventusit për portierin argjentinas.

Drejtori i Aston Villas, Damian Vidagany, ka mbyllur derën për një transferim të mundshëm të Martinezit në Torino. Në një intervistë për 365Scores, ai theksoi se klubi anglez nuk ka ndërmend të lejojë largimin e gardianit këtë verë.

“E ardhmëja e Dibu është e sigurt. Ai do të qëndrojë me ne dhe nuk kemi asnjë qëllim ta lejojmë të largohet këtë verë. Skuadra ka nevojë për angazhimin dhe eksperiencën e tij të madhe. Ai është një element shumë i rëndësishëm në projektin tonë për sezonin e ardhshëm”, deklaroi Vidagany.

Drejtuesi i Aston Villas mohoi gjithashtu edhe ekzistencën e negociatave me Juventusin.

“Të gjitha raportimet në media për një largim të mundshëm të tij drejt Juventusit nuk pasqyrojnë pozicionin real të klubit. Martinez është një lojtar shumë i rëndësishëm për ne dhe presim që të vazhdojë të japë paraqitje të jashtëzakonshme me shokët e skuadrës”, shtoi ai.

Megjithatë, sipas raportimeve nga Italia, vetë portieri argjentinas do ta mirëpriste një transferim te Juventusi. Problemi kryesor mbetet kërkesa ekonomike e Aston Villas, e cila e vlerëson kartonin e tij mes 10 dhe 12 milionë eurove.

Juventusi, nga ana tjetër, nuk dëshiron të shkojë përtej një oferte prej 6-7 milionë eurosh, pra rreth gjysmës së shumës së kërkuar nga klubi anglez.

Top Channel