Rama në paradën e Ditës së Bastijës në Francë, kryeministri i ftuar nga Macron në ceremoninë madhështore

14/07/2026 15:07

Franca shpalosi fuqinë e saj ushtarake dhe unitetin me aleatët gjatë paradës së njohur të Ditës së Bastijës të mbajtur në Paris, ku i ftuar nderi ishte presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy.

Në një kohë kur Europa po përshpejton përpjekjet për forcimin e mbrojtjes përballë luftës së Rusisë në Ukrainë, parada u shoqërua nga një prani ushtarake rekord: 6.700 trupa, 98 avionë, 31 helikopterë dhe 315 mjete ushtarake që marshuan nga Harku i Triumfit deri në Place de la Concorde.

I ftuar në eventin madhështor ishte edhe kryeministri Edi Rama. Në bulevardin Champs-Élysées u valëvit edhe flamuri shqiptar; kreu i qeverisë ndau pamje të paradës në rrjetet sociale.

Parada, e cila përkujton sulmin ndaj burgut të Bastijës gjatë Revolucionit Francez, u zhvillua një ditë pas një samiti të aleatëve të Ukrainës të organizuar nga Emmanuel Macron, ku ishte gjithashtu i pranishëm edhe kryeministri Rama.

Presidenti francez deklaroi se Europa duhet të jetë e gatshme të mbrojë lirinë dhe shtetin e së drejtës, edhe nëse kjo do të kërkonte sakrifica të mëdha. Ai ka mbështetur idenë e një BE-je më të fortë ushtarakisht dhe më pak të varur nga Shtetet e Bashkuara.

Kjo ishte parada e fundit e Ditës së Bastijës për Macronin, i cili do të largohet nga posti vitin e ardhshëm pas dy mandateve presidenciale. Ceremonia kishte gjithashtu një dimension përkujtimor, pasi shënoi 10-vjetorin e sulmit terrorist në Nicë gjatë festimeve të Ditës së Bastijës, ku humbën jetën 86 persona dhe u plagosën mbi 400 të tjerë.

Top Channel