Interi në “hall” edhe për mesfushën, futbollisti i Liverpool-it mund të mos largohet nga ‘Reds’-at

14/07/2026 10:37

Inter vazhdon të mbajë në radar mesfushorin anglez Curtis Jones, edhe pse merkatoja e zikaltërve është e përqendruar aktualisht në përforcimin e krahut të djathtë të mbrojtjes, pas dështimit të negociatave për Anan Khalaili.

Trajneri Cristian Chivu e vlerëson prej kohësh profilin e 24-vjeçarit, i cili ishte një objektiv edhe në merkaton e janarit. Në atë periudhë, transferimi nuk u realizua për shkak të mosshitjes së Davide Frattesit, ndërsa edhe këtë verë negociatat mbeten të komplikuara.

Liverpool nuk ka ndërmend të ulë kërkesat financiare për Jones, pavarësisht se kontrata e tij skadon pas 11 muajsh. Klubi anglez duket se dëshiron fillimisht të dëgjojë mendimin e trajnerit të ri, Andoni Iraola, i cili e konsideron mesfushorin një pjesë të rëndësishme të projektit.

“Shpresoj ta mbajmë jo vetëm këtë sezon, por edhe për më gjatë. Për mua është një lojtar i madh. Është shumë e rëndësishme që ai është nga Liverpooli dhe ka personalitet”, deklaroi Iraola.

Përveç Interit, interes për Curtis Jones ka shfaqur edhe Nottingham Forest. Megjithatë, vetë futbollisti hodhi poshtë në rrjetet sociale zërat se një marrëveshje me klubin anglez ishte arritur tashmë.

Për momentin, Inter po ndjek situatën me kujdes, ndërsa pritet të rikthehet në sulm për Jones pasi të zgjidhë prioritetet e tjera në merkaton e verës.

Top Channel