Fasadat e amortizuara, banorët në Durrës ankohen për rrezikun. Rasti i fundit pranë gjykatës së qytetit

14/07/2026 12:20

Fasadat e amortizuara të ndërtesave në Durrës vijojnë të jenë rrezik për qytetarët. Pavarësisht rasteve të përsëritura të shkëputjes së elementëve të fasadave, në shumë objekte ende nuk janë marrë masa për riparimin dhe mirëmbajtjen e tyre.

Rasti më i fundit u shënua një ditë më parë në rrugën “Aleksandër Goga”, pranë Gjykatës së Durrësit, ku një pjesë suvaje u shkëput nga fasada e një godine. Në vendngjarje ndërhynë zjarrfikësit, të cilët vendosën perimetrin e sigurisë dhe larguan pjesët që paraqisnin rrezik për kalimtarët.

Vetëm pak javë më parë, edhe nga godina e Prokurorisë së Durrësit u shkëputën copa mermeri nga pjesa e jashtme e një dritareje, të cilat ranë në trotuar. Edhe sot, një pjesë e trotuarit vijon të jetë e rrethuar me shirit sigurie, ndërsa ende nuk është kryer asnjë ndërhyrje riparimi.

Raste të ngjashme janë regjistruar edhe në lagje të tjera të qytetit, duke ngritur shqetësime për gjendjen e ndërtesave të amortizuara dhe mungesën e ndërhyrjeve parandaluese. Deri në marrjen e masave konkrete, rreziku për kalimtarët mbetet i pranishëm.

Top Channel