Sinner nuk bie nga “froni”, italiani dominon Zverev në finalen e Wimbledon dhe mbron titullin
Shqipëria U-16 e basketbollit të vajzave është kthyer me medalje argjendi nga Divizioni C i Kampionatit Europian, event i zhvilluar në Maltë më datat 7-12 korrik.
Pasi e kishin mbyllur fazën e grupeve me pikë të plota, duke i fituar të tria ndeshjet dhe pas suksesit në një gjysmëfinale tepër emocionuese të shtunën kundër Gjeorgjisë, vajzat kuqezi zbritën dje në parket për finalen e madhe përballë vendëseve të Maltës.
Përtej dëshirës së madhe për të mbërritur te medalja e artë, skuadra e drejtuar nga Olsi Muça nuk ia doli që ta kalonte me sukses provën e fundit të kompetecionit, pasi ishin maltezet ato që triumfuan në shifrat 51-76. Pas pjesës së parë të ekuilibruar, loja e Shqipërisë erdhi në rënie, me vendëset që e bënë diferencën në gjysmën e dytë.

Helena Byberi me 20 pikë e 9 kërcime ishte lojtarja kryesore e Shqipërisë, duke u konfirmuar si një nga talentet më premtuese të basketbollit shqiptar, edhe pse vetëm në moshën 13-vjeçare. Ajo udhëhoqi Shqipërinë drejt medaljes së argjendtë dhe u përzgjodh në All-Star Five të kampionatit.
Helena e mbylli turneun si shënuesja më e mirë e gjithë kampionatit me mesatarisht 26.8 pikë për ndeshje dhe ishte ndër lojtaret më të mira edhe në vjedhjet e topit. Gjatë fazës së grupeve ajo regjistroi mesatarisht 29.3 pikë dhe 6.0 vjedhje topi për ndeshje, duke qenë liderja absolute e Shqipërisë.
Një paraqitje e jashtëzakonshme për një lojtare vetëm 13-vjeçare, që konfirmon potencialin e saj të madh për të ardhmen e basketbollit shqiptar.
Top Channel