Ra nga shkëmbi në ujërat e lumit Mat, gjendet trupi i pajetë i 33-vjeçarit në Klos
Policia e Vlorës ka bërë bilancin e punës për muajin qershor 2026, duke njoftuar se janë evidentuar 254 vepra penale, nga të cilat 240 janë zbuluar, ose 94.5% e rasteve.
Sipas drejtorit të DVP Vlorë, Edvin Ndreu, janë identifikuar 280 autorë të dyshuar, ku 65 janë arrestuar ose ndaluar, 206 janë proceduar në gjendje të lirë dhe 9 janë shpallur në kërkim.
Gjatë muajit qershor u zhvilluan pesë operacione policore, mes tyre “Strike 5”, “Strike 6”, “Grupi”, “Catch” dhe “The Last Window”, të cilat çuan në goditjen e grupeve kriminale, arrestimin e personave në kërkim dhe zbardhjen e disa rasteve të vjedhjeve të banesave.
Policia bëri të ditur se gjatë operacioneve u sekuestruan 6 armë zjarri, 4 armë të ftohta, 138 fishekë luftarakë, mbi 700 doza lëndësh narkotike të llojeve të ndryshme, si edhe katër apartamente dhe një njësi tregtare me vlerë rreth 400 mijë euro.
Në fushën e sigurisë rrugore u regjistruan 18 aksidente, ku humbën jetën tre persona. Gjithashtu, u evidentuan 65 shkelje penale që cenojnë sigurinë rrugore dhe 42 raste të drejtimit të mjeteve në mënyrë të parregullt, ndërsa u vendosën 15 607 masa administrative.
Sa i përket sezonit turistik, Policia e Shtetit ka angazhuar edhe 135 efektivë shtesë për Vlorën, Himarën dhe Sarandën, me qëllim garantimin e rendit dhe sigurisë përgjatë bregdetit.
Nga ana tjetër, Drejtoria Vendore për Kufirin dhe Migracionin Vlorë raportoi se gjatë muajit qershor janë përpunuar 202 013 udhëtarë dhe mbi 40 mijë automjete në pikat e kalimit kufitar.
Në kuadër të kontrolleve në det janë verifikuar 1 555 mjete lundruese, janë bllokuar 66 prej tyre dhe janë vendosur 68 masa administrative me vlerë totale 2.7 milionë lekë për shkelje të rregullave të sigurisë detare.
Policia Kufitare bëri me dije se gjatë muajit qershor u janë ardhur në ndihmë 31 personave në det në tetë raste të ndryshme, ndërsa janë evidentuar edhe 12 vepra penale në fushën e migracionit të paligjshëm, krimit ekonomik dhe trafiqeve.
Top Channel