Perimet u shtrenjtuan, ekspertët: Çmimet u rritën edhe për shkak oligopoleve, importi vetëm në pak duar

13/07/2026 13:52

Muaji qershor shënon kulmin e prodhimit bujqësor, por këtë sezon perimet nuk janë bërë më të lira.

Përkundrazi, sipas të dhënave të INSTAT-it, çmimi i zarzavateve është rritur me 3.8% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Sipas ekspertëve, në këtë rritje kanë ndikuar tre faktorë kryesorë.

Faktori i parë lidhet me përmbytjet e fundit të janarit, të cilat sollën ulje të prodhimit vendas. Së dyti, rritja e importeve ndikoi në çmime më të larta. Ndërsa faktori i tretë është lufta në Lindjen e Mesme, efektet e së cilës po ndihen edhe në treg. Këto produkte pritet të kushtojnë edhe më shumë, pasi pasojat e konfliktit ende nuk kanë përfunduar”, shprehet Ergis Sefa, ekspert ekonomie.

Rritja e çmimeve të perimeve ka rënduar më tepër në xhepat e pensionistëve, të cilët kanë të ardhura të ulëta.

Çmimet për ne pensionistët janë shumë të larta. Çfarë mund të bëj unë me 140 mijë lekë në muaj?”, thonë qytetarët.

Shtresa që vuan më tepër jemi ne”, thotë një tjetër qytetar.

Të lutem, të mos flasim për çmimet, sepse nuk blej dot”, shprehet po ashtu një qytetar tjetër.

Por si mund të frenohet kjo rritje çmimesh?

“Kjo situatë mund të marrë fund nëse frenohet oligopoli, pasi vetëm katër ose pesë subjekte importojnë pjesën më të madhe të fruta-perimeve. Një tjetër faktor i rëndësishëm është promovimi dhe mbështetja e produkteve shqiptare”, argumenton Sefa.

Në kahun e kundërt, frutat rezultojnë të kenë kushtuar më lirë. Sipas INSTAT-it, çmimi i nektarinave është ulur me 2.8%.

Mua më duket se frutat janë më të lira se vitin e kaluar”, thotë një qytetar.

Braktisja e fshatit po rrit varësinë nga importet, çka ndikon drejtpërdrejt në shtrenjtimin e tryezës së konsumatorit shqiptar.

 

Top Channel