Michael Olise po zhvillon një Botëror të jashtëzakonshëm me Francën, duke u shndërruar në një nga protagonistët kryesorë të turneut. Mesfushori ofensiv numëron pesë asistime, vetëm një më pak se rekordi historik i Pelés në një Kupë Bote, duke qenë aktualisht pasuesi më i mirë i kompeticionit.

Në paraqitjen e tij të parë në një Botëror, 24-vjeçari ka spikatur jo vetëm me asistet, por edhe me aftësinë për të çarë mbrojtjet kundërshtare. Ai kryeson te Franca për pasimet që thyejnë linjat rivale, me 25 të tilla të realizuara me sukses.

Olise ka krijuar gjithashtu një partneritet të shkëlqyer me Kylian Mbappé, i cili ka shënuar tetë gola në këtë Botëror. Tre prej tyre kanë ardhur pikërisht nga asistet e lojtarit të Bayern Munich, duke e bërë dyshen një nga më të frikshmet e turneut.

Forma e tij gjatë këtij sezoni ka qenë mbresëlënëse. Me Bayern Munich fitoi Bundesligën dhe Superkupën e Gjermanisë, u shpall lojtari më i mirë i kampionatit gjerman dhe i klubit bavarez, ndërsa tani synon ta kurorëzojë vitin me triumfin në Kupën e Botës.

Paraqitjet e tij kanë bërë që emri i Olise të lidhet gjithnjë e më shumë me një transferim të mundshëm te Real Madrid. Sipas mediave spanjolle, drejtuesit e klubit madrilen e konsiderojnë francezin një nga objektivat kryesorë për projektin e ri sportiv.

Ndryshe nga roli i tij te Bayern Munich, ku aktivizohet kryesisht si sulmues krahu, te Franca trajneri Didier Deschamps e ka vendosur në pozicionin e mesfushorit ofensiv në skemën 4-2-3-1, rol në të cilin ai ka treguar cilësi të larta në organizimin e lojës.

Në 488 minutat e luajtura në Botëror, Olise ka regjistruar një saktësi pasimesh prej 87%, me 260 pasime të sakta dhe 14 raste të krijuara për shokët e skuadrës, statistika që konfirmojnë ndikimin e tij të madh në lojën e Francës.

Top Channel