Tetë vjet më parë mbërriti CR7, sot nuk mund ta marrë as Kolo Muanin/ Çfarë i ndodhi Juventusit?

12/07/2026 21:49

Vetëm tetë vite më parë, Juventusi trondiste botën e futbollit me transferimin e Cristiano Ronaldos nga Real Madridi për 105 milionë euro.

Sot, bardhezinjtë ndodhen në një realitet krejt ndryshe, teksa po përpiqen të rikthejnë në Torino sulmuesin francez Randal Kolo Muani, në një periudhë ku klubi kërkon të rikthehet mes më të mirëve pas disa sezonesh zhgënjyese.

Më 10 korrik 2018, mbërritja e CR7 shënonte një nga transferimet më të bujshme në historinë e futbollit italian. Synimi ishte i qartë: fitimi i Ligës së Kampionëve. Edhe pse portugezi realizoi 101 gola në tre sezone, trofeu i shumëpritur europian nuk mbërriti kurrë, ndërsa pandemia goditi rëndë financat e klubit.

Që nga ai moment, Juventusi ka kaluar një periudhë të trazuar. Klubi nuk ka fituar titullin kampion të Italisë që prej vitit 2020 dhe trofeu i fundit mbetet Kupa e Italisë e fituar në vitin 2024.

Në këto vite, “Zonja e Vjetër” ka përjetuar ndryshime të shumta në drejtim. Pas largimit të Andrea Agnellit, Pavel Nedved dhe Fabio Paraticit, klubi ka ndërruar disa drejtues dhe trajnerë, ndërsa në stol janë ulur emra si Andrea Pirlo, Massimiliano Allegri, Thiago Motta, Igor Tudor dhe së fundmi Luciano Spalletti.

Edhe merkatoja nuk ka dhënë rezultatet e pritura. Lojtarë të afruar me shumë bujë dhe për shifra të larta, si Arthur, Teun Koopmeiners apo David, nuk kanë arritur të justifikojnë investimet, ndërsa Juventusi vijon të kërkojë mënyra për të ulur kostot dhe për të rindërtuar skuadrën.

Në këtë situatë, objektivi kryesor i klubit është rikthimi i Randal Kolo Muanit. Pas disa tentativave të dështuara gjatë muajve të fundit, drejtuesit bardhezi shpresojnë ta bindin sulmuesin francez të bëhet pjesë e projektit të ri.

Nga transferimi historik i Cristiano Ronaldos te përpjekja për të siguruar shërbimet e Kolo Muanit, kanë kaluar pothuajse tetë vite, gjatë të cilave Juventusi ka kaluar nga një prej klubeve më dominuese në Europë në një skuadër që ende kërkon të rikthehet në elitën e futbollit italian dhe kontinental.

Top Channel