Jannik Sinner vazhdon të shkruajë historinë në barin e Londrës. Tenisti italian ka fituar për të dytin vit radhazi trofeun e Wimbledon, pasi mposhti në finalen e madhe Alexander Zverev me rezultatin 3-1 me sete: 6-7, 7-6, 6-3, 6-4.

Finalja në nisi me një betejë të fortë mes dy numrave të mëdhenj të tenisit botëror. Zverev arriti të marrë setin e parë pas një “tie-break”-u të luftuar, duke shfaqur fuqinë e shërbimit dhe goditjeve të tij nga fundi i fushës.

Por Sinner reagoi menjëherë. Italiani rriti ritmin, u bë më i saktë në shkëmbimet e gjata dhe barazoi shifrat duke fituar setin e dytë sërish në “tie-break”. Që nga ai moment, ndeshja mori një tjetër drejtim.

Në dy setet e fundit, kampioni në fuqi përfitoi nga disa gabime të Zverev dhe nga rënia e ritmit të gjermanit. Sinner kontrolloi lojën me qetësi, agresivitet dhe precizion, duke mbyllur finalen me dy sete radhazi 6-3, për të ngritur edhe një herë trofeun e Wimbledon.

Ky është një tjetër kapitull i madh në karrierën e italianit, i cili konfirmohet si dominuesi i ri i tenisit botëror. Sinner, numri 1 në renditjen ATP dhe kampion në fuqi, kishte mbërritur në këtë finale pas një paraqitjeje të fortë në turne, ku eliminoi edhe Novak Djokovic në gjysmëfinale.

Për Zverev, finalja ishte një mundësi historike për të shtuar një tjetër trofe madhor pas suksesit të fundit në Roland Garros, por gjermani nuk arriti të ndalte ritmin e Sinner në momentet vendimtare.

Me këtë triumf, Sinner ruan “fronin” në Wimbledon dhe dërgon një mesazh të qartë: epoka e tij në majat e tenisit vazhdon.

Top Channel