Milani mendon seriozisht transferimin e yllit brazilian, ka gati planin ku përfshihet edhe mesfushori shqiptar

12/07/2026 12:40

Milani po shqyrton mundësinë e transferimit të mesfushorit brazilian Ederson nga Atalanta, ndërsa merkatoja e verës mund të sjellë një shkëmbim interesant mes dy klubeve.

Sipas raportimeve nga Italia, Ederson është rikthyer në orbitën e Milanit pasi transferimi i tij te Manchester United nuk u konkretizua. Klubi anglez vendosi të mos vazhdonte negociatat pas vlerësimeve të fundit, duke bërë që braziliani të mbetet pjesë e Atalantës.

Drejtuesit kuqezinj kanë kontaktuar klubin bergamask për të marrë informacione mbi çmimin dhe mundësinë e një marrëveshjeje. Madje, Milani ka zhvilluar edhe bisedime me agjentin e Edersonit, një sinjal se interesi është konkret.

Një nga skenarët që po diskutohet është përfshirja e mesfushorit Ardon Jashari në operacion. Trajneri i Atalantës, Maurizio Sarri, e vlerëson shumë futbollistin shqiptar dhe do ta mirëpriste në skuadër.

Fillimisht, Atalanta kishte menduar ta merrte Jasharin në formë huazimi me të drejtë blerjeje, por përfshirja e tij në një shkëmbim me Edersonin mund ta ndryshojë rrjedhën e negociatave. Gjithsesi, për momentin bëhet fjalë vetëm për një hipotezë dhe jo për bisedime të avancuara.

Përveç Edersonit, Milan dhe Atalanta po ndjekin edhe talentin boshnjak Alajbegović.

Sipas mediave italiane, Zlatan Ibrahimović e konsideron një objektiv të rëndësishëm për të ardhmen e klubit, por Atalanta ka lëvizur më shpejt dhe shihet si favorite për të siguruar shërbimet e tij, duke i garantuar një rrugë më graduale zhvillimi.

Kessie vazhdon të jetë në radar

Ndërkohë, Atalanta nuk ka hequr dorë nga ideja për të rikthyer Franck Kessien në Serie A. Megjithatë, mesfushori nga Bregu i Fildishtë po mban të hapur edhe opsionin e Juventusit.

Pengesa kryesore mbetet paga e lartë e lojtarit, e cila vlerësohet rreth 5 milionë euro në sezon. Si Atalanta, ashtu edhe Juventusi kërkojnë që Kessie të ulë kërkesat financiare për të bërë të mundur transferimin.

Merkatoja mbetet e hapur dhe javët në vijim pritet të jenë vendimtare për të ardhmen e Edersonit, Jasharit dhe objektivave të tjerë të klubeve italiane.

Top Channel