Tragjedi në botën e motoçiklizmit, dy pilotë humbin jetën në një aksident
Marc Marquez vazhdon të shkëlqejë në pistën e Sachsenring. Piloti spanjoll fitoi Çmimin e Madh të Gjermanisë në MotoGP, duke dominuar garën nga fillimi deri në fund dhe duke hyrë në historinë e këtij sporti.
Me suksesin e radhës në Gjermani, Marquez arriti fitoren e tij të 13-të në të njëjtën pistë, duke barazuar një rekord legjendar të mbajtur nga Giacomo Agostini. Të dy kanë nga 13 fitore në Sachsenring, prej të cilave 10 në kategorinë kryesore të MotoGP, një statistikë që tregon dominimin e jashtëzakonshëm të dy ikonave të këtij sporti.
Marquez zhvilloi një garë perfekte, duke marrë kryesimin që në start dhe duke mos e lëshuar më deri në flamurin me kuadrate pas 30 xhirove. Spanjolli tregoi ritëm të jashtëzakonshëm dhe u shkëput gradualisht nga rivalët, duke krijuar një avantazh të mjaftueshëm për të kontrolluar garën pa rrezikuar.
Pas tij u renditën dy pilotët e Aprilia Trackhouse, Ai Ogura dhe Raul Fernandez, të cilët plotësuan podiumin. Pedro Acosta përfundoi në vendin e katërt, ndërsa Jorge Martin mbylli garën në vendin e pestë.
Gara pati edhe momente të rëndësishme që ndikuan në renditje. Fillimisht, Marc Marquez mbajti pas vetes vëllain e tij Alex Marquez, Fernandez, Ogura dhe Fabio Di Giannantonio.
Por Di Giannantonio u rrëzua në një nga sektorët më të shpejtë të pistës, ndërsa pak më vonë edhe Alex Marquez u detyrua të largohej nga gara pas një rrëzimi. Kjo i dha Marc Marquez më shumë qetësi, duke krijuar një diferencë prej rreth dy sekondash dhe duke e bërë të paarritshëm për ndjekësit.
Në xhirot e fundit, Ogura arriti të parakalojë Fernandez dhe të sigurojë vendin e dytë, ndërsa Martin rezistoi ndaj sulmeve të Francesco Bagnaia-s dhe ruajti pozicionin në pesëshen e parë.
Fitorja e Marquez dhe mungesa e Marco Bezzecchi-t, i cili nuk garoi për shkak të një dëmtimi në klavikulë, kanë ndryshuar ndjeshëm situatën në klasifikimin e përgjithshëm.
Pas garës në Gjermani, Jorge Martin kryeson kampionatin me 208 pikë, por diferenca është zvogëluar ndjeshëm. Ai ka vetëm 14 pikë avantazh ndaj Ai Ogura-s, i cili është ngjitur në vendin e dytë me 194 pikë, ndërsa Marc Marquez ndodhet vetëm 18 pikë pas liderit, me 190 pikë.
Pas tyre vijnë Bezzecchi dhe Di Giannantonio me 186 pikë, vetëm 22 pikë larg kreut.
Me këtë ekuilibër të ri, lufta për titullin MotoGP është hapur plotësisht. Dominimi i fillimit të sezonit nga Aprilia tashmë është zëvendësuar nga një rivalitet shumë më i fortë, ku çdo garë mund të ndryshojë renditjen deri në fund të kampionatit.
Top Channel