Pista e Sachseringut konfirmohet si pista e Marc Marquez. Piloti spanjoll i Ducatit fitoi pole position në ndalesën e radhës së Botërorit të MotoGP në Gjermani, që është e 9 për të në këtë Çmim të Madh.

Për më tepër, Marc Marquez në këto kualifikuese vendosi edhe një kohë rekord teksa i mbylli ato me 1 minutë 19 sekonda e 41 të mijtat duke lënë në vendin e dytë vëllain e tij, Alex me vetëm 61 të mijtat më shumë.

Përkrah vëllezërve Marquez, në vijën e parë të startit u pozicionua italiani Fabio Di Giannantonio që shënoi kohën e tretë më të mirë me 147 të mijtat më shumë se Marc Marquez. Nuk vijnë lajme të mira nga Marco Bezzecchi i cili fillimisht e përshkoi pistën me kohën 1 minutë 19 sekonda e 613 të mijtat, pra mbi gjysmë sekondi më shumë se Marquez dhe në momentin kur tentoi të shënojë një kohë më të shpejtë u bë protagonist i një rrëzimi mbi krahun e majtë të tij që e detyroi atë të mbyllë përpara kohe kualifikueset.

Gjithsesi, Bezzecchi mbetet përpara liderit aktual të kampionatit Jorge Martin që u pozicionua në vendin e 9, ndërkohë që përpara tyre u pozicionuan Fernandez në vendin e 4-t, Ogura në të pestin, Quartararo në të 6 dhe Morbidelli në të shtatin. Pedro Acosta nuk shkoi më shumë se vendi i dhjetë dhe menjëherë pas tij u rendit Francesco Bagnaia në të njëmbëdhjetin.

 

Top Channel