Edicioni i nëntë i MIK Festival ka çelur siparin në Korçë, i cili do të sjellë për katër ditë me radhë dhjetëra artistë shqiptarë dhe ndërkombëtarë. Me një program të pasur artistik që ndërthur zhanre të ndryshme muzikore nën drejtimin artistik të sopranos me famë botërore Inva Mula, festivali vijon të ruajë traditën e tij.
Nata e parë ka nisur me tingujt e Gippsy Jazz ndërsa artistët pjesëmarrës shprehën emocionet për performancën në Korçë.
“Ndihem vërtet shumë mirë. Mendoj se Korça është një qytet i këndshëm dhe jam vërtet i lumtur që ndodhem këtu me dy miqtë e mi nga Kosova. Është edhe hera ime e parë në Shqipëri gjithashtu, dhe është gjithmonë kënaqësi për mua sepse jam gjysmë shqiptar dhe gjysmë francez.
Im atë vjen nga Kosova, kështu që është gjithmonë kënaqësi të jesh në Shqipëri e në Kosovë. Do të jetë Gypsy Jazz. Unë luaj në kontrabas me mikun tim. Në të kaluarën kam luajtur me shumë muzikantë të njohur të këtij stili, me violinë dhe kitarë, dhe sonte do të jetë një gërshetim i xhazit francez dhe atij Gypsy. Do të ketë edhe materiale nga Django Reinhardt”, shprehet Xavier Nikq.
MIK Festival do të vijojë të mbajë ndezur atmosferën festive në Korçë edhe për tre ditë të tjera, duke sjellë për publikun një ndërthurje magjike të kulturave dhe rrymave muzikore që bëjnë bashkë artistë nga mbarë Evropa.
Top Channel