“Pinoku ka ditëlindjen”/ Biblioteka kombëtare ekspozon botimet e rralla për 145 vjetorin e personazhit të letërsisë

10/07/2026 13:04

Pinoku ka ditëlindjen! Kukulla prej druri që mori trajtë njerëzore, një ndër personazhet më të pëlqyera të fëmijëve, u botua 145 vite më parë nga Carlo Collodi.

Me këtë rast, në Qendrën “Sotir Kolea” të Bibliotekës Kombëtare ekspozohen disa vepra të rralla, përfshirë dhe botimin e parë të Pinokut në gjuhën shqipe, në 1935 nga përkthyesi Cuk Simoni.

“Në parathënien që vetë Cuk Simoni ka shkruar, thotë që ‘Pinoku e ka thirrur’. Kur e she veprën në Itali ndien thirrjen e Pinokut dhe do që ta sjellë në shqip. Libri është në gegënisht dhe ka ilustrume të bëra nga Terezina Shiroka”, tha Aida Baro-përkthyese, redaktore letrare.

Përralla e Pinokut të drunjtë që merr jetë dhe përjeton aventurat e tij në botën e njerëzve u ribotua disa herë, derisa në 1964, rishkruhet në gjuhën letrare dhe u censurua emri i përkthyesit, që nuk citohej në libër.

“Cuk Simoni dënohet, filloi deklasimi i tij. Iu hoq edhe emri nga të gjitha librat”, tha Baro.

Krahas botimeve në shqip, në Bibliotekën Kombëtare ka edhe disa vepra origjinale të Pinokut në italisht.

“Në të vërtetë, Pinoku është botuar me episode. Tetë episodet e para dolën në gazetë. Thuhej te Collodi, ashtu sikurse shumë shkrimtarë të tjerë francezë, lunate bixhoz dhe shkruante për të fituar para. Në 1883 vepra botohet e plotë. Në Bibliotekën tonë, libri më i vjetër është në 1937 dhe ajo që të bën përshtypje janë ilustrimet. Janë të gjitha të mrekullueshme”.

Aventurat e Pinokut dhe mesazhet që përcjell vepra, e kanë bërë një libër klasik që i ka rezistuar dekadave duke mbetur po aq i pëlqyer dhe nga brezat e rinj.

Top Channel