Zyrtarja e BDI: NATO zgjodhi Tiranën si bosht politik, ndërsa Shkupi ende mat politikën me metrin e djeshëm

10/07/2026 22:01

Anëtarja e Kryesisë Qendrore të BDI-së, Liridona Beqiri, ka komentuar vendimin që Tirana të presë samitin e NATO-s, duke e cilësuar atë si një mesazh të qartë të besimit strategjik të Aleancës ndaj Shqipërisë.

Beqiri theksoi se, në një periudhë kur Evropa po përballet me sfidat më të mëdha të sigurisë që nga përfundimi i Luftës së Ftohtë, vendi ku mblidhen liderët e NATO-s nuk përzgjidhet rastësisht, por mbi bazën e besueshmërisë, stabilitetit dhe kapaciteteve institucionale.

Sipas saj, për javë të tëra kishte pretendime se Shqipëria ishte e izoluar dhe se Perëndimi ishte distancuar nga kryeministri Edi Rama, por vendimi i NATO-s, tha ajo, dëshmoi të kundërtën. “NATO foli me një mesazh strategjik dhe me vulë besimi”, u shpreh Beqiri, duke shtuar se Aleanca nuk zgjedh një kryeqytet për t’i bërë nder një lideri, por aty ku sheh një partner të besueshëm.

Ajo vlerësoi se samiti në Tiranë përbën gjithashtu një mesazh për Ballkanin Perëndimor, duke nënvizuar se e ardhmja ndërtohet mbi partneritete të forta, institucione demokratike dhe siguri kolektive.

Në reagimin e saj, Beqiri bëri edhe një krahasim me zhvillimet politike në Maqedoninë e Veriut. Ajo kritikoi, siç tha, qasjen e politikës në Shkup, duke vlerësuar se, ndërsa Tirana përgatitet të mirëpresë aleancën më të fuqishme në botë, në Shkup ende dominojnë debatet e politikës ditore dhe sulmet ndaj Ramës.

Beqiri theksoi gjithashtu se sa i përket Maqedonisë së Veriut, në proceset ku diskutohen çështjet strategjike të sigurisë nuk ka përfaqësim real të shqiptarëve, duke shtuar se shqiptarët në qeverisjen aktuale nuk janë bartës të linjës strategjike të shtetit.

Në fund, ajo u ndal edhe te perceptimet ndaj Shqipërisë, duke vlerësuar se nuk duhet t’i mohohen sukseset e saj për shkak të kundërshtimeve politike ndaj drejtuesve të saj.

“Shqipëria është shumë më e madhe se çdo politikan dhe, ndonjëherë, nuk fiton një emër – fiton Shqipëria”, përfundoi Beqiri.

Top Channel