Transferim i papritur në Premier League, Manchester United blen për 50 milionë paund mesfushorin e Chelseat

09/07/2026 09:29

Manchester United ka arritur marrëveshje me Chelsean për transferimin e mesfushorit brazilian Andrey Santos në një operacion me vlerë totale prej 50 milionë paundësh.

Sipas raportimeve, “Djajtë e Kuq” do të paguajnë fillimisht 48 milionë paund, ndërsa edhe 2 milionë të tjera do të shtohen në formën e bonuseve të realizueshme. Chelsea ka siguruar gjithashtu një klauzolë prej 10 për qind nga shitja e ardhshme e lojtarit.

Negociatat kanë avancuar me shpejtësi gjatë orëve të fundit, pasi Manchester United shprehu interesin konkret për 21-vjeçarin gjatë fundjavës. Santos tashmë ka marrë lejen për të kryer kontrollet mjekësore përpara zyrtarizimit të transferimit.

Ky është një përforcim i rëndësishëm për skuadrën, e cila kishte vendosur mesfushën si prioritet në merkaton e verës. Largimi i Casemiros pas përfundimit të kontratës dhe dëmtimi i rëndë i Manuel Ugarte, i cili ka këputur ligamentin e kryqëzuar të gjurit, e lanë United me mungesa të mëdha në këtë repart.

Klubi kishte tentuar më parë të transferonte Elliot Anderson nga Nottingham Forest, por kërkesa prej mbi 110 milionë paundësh u konsiderua e papërballueshme. Më pas, objektiv u bë Mateus Fernandes i West Hamit, por mesfushori zgjodhi Tottenhamin pasi klubi londinez ofroi 85 milionë paund të garantuara.

Me Kobbie Mainoo ende të angazhuar në Kupën e Botës me Anglinë, trajneri Michael Carrick rrezikonte ta niste fazën përgatitore me Mason Mount si mesfushorin e vetëm me eksperiencë në dispozicion. Ndeshja e parë miqësore e verës është planifikuar më 18 korrik ndaj Wrexhamit në Helsinki.

Ndërkohë, Andrey Santos pritet të bëhet largimi i tretë i rëndësishëm i Chelseat gjatë kësaj vere, pas transferimeve të Marc Cucurellas te Real Madridi dhe Tyrique George te Evertoni.

Top Channel