Lëvizte me pistoletë dhe granata, arrestohet 38-vjeçari me precedent penal me Vlorë

09/07/2026 12:57

Një 38-vjeçar me precedent të mëparshëm penal për krime kundër personit në Vlorë është arrestuar, pasi u kap duke qarkulluar me armë zjarri dhe granatë.

Arrestimi u krye në kuadër të operacionit policor të koduar “Siguria 2”, të zhvilluar nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Himarë, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponja” të Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë.

Sipas policisë, në pranga ra shtetasi me inicialet E. H., 38 vjeç, banues në Vlorë. Ai u ndalua në flagrancë në zonën e quajtur “Kthesa e Pilurit”, Himarë, teksa lëvizte me automjet.

Gjatë kontrollit të automjetit, në çantën e tij u gjet një armë zjarri pistoletë me krehër të mbushur me fishekë, si dhe një granatë.

Kontrollet vijuan edhe në banesën e 38-vjeçarit në Vlorë, ku shërbimet e Policisë gjetën një tjetër pistoletë, krehra, municion luftarak, dy jelekë antiplumb dhe dy jelekë multifunksionalë.

Të gjitha sendet e gjetura, përfshirë dy pistoletat, granatën, municionin, krehërat dhe jelekët, u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, së bashku me automjetin dhe dy telefona celularë.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” dhe “Mbajtja pa të drejtë e uniformës”.

Top Channel