Debate për terminologjinë dhe barazinë gjinore në Këshillin Bashkiak të Durrësit, plani nuk miratohet

09/07/2026 13:27

Plani Vendor i Veprimit për Barazinë Gjinore 2026-2030 ka shkaktuar debate në mbledhjen e Këshillit Bashkiak të Durrësit, ku këshilltarët janë përplasur lidhur me terminologjinë e përdorur në dokument.

Këshilltarja e Partisë Demokratike, mjekja Edlira Harizi, kërkoi sqarime për termin “transformimi i roleve gjinore”, duke shprehur paqartësi mbi kuptimin dhe zbatimin e këtij koncepti në planin e propozuar.

Drejtoresha e Shërbimeve Sociale në Bashkinë e Durrësit, Diola Xhango, sqaroi se ky term nuk ka të bëjë me ndryshimin e gjinisë nga grua në burrë apo anasjelltas, por i referohet ndryshimit të roleve sociale dhe fuqizimit të grave në situata vulnerabël, përfshirë gratë e dhunuara apo ato pas divorcit.

Xhango theksoi gjithashtu se plani nuk përjashton komunitetin LGBT dhe se synimi i tij është promovimi i barazisë dhe mbështetja e grupeve në nevojë.

Ndërkohë, këshilltarja e opozitës kundërshtoi disa formulime të dokumentit, duke argumentuar se terminologjia e përdorur duhet të jetë më e qartë dhe të mos tejkalojë, sipas saj, konceptin e barazisë gjinore.

Në përfundim të diskutimeve, Plani Vendor i Veprimit për Barazinë Gjinore 2026-2030 nuk arriti të miratohej në Këshillin Bashkiak të Durrësit. Dokumenti mori vetëm 25 vota pro nga 51 anëtarë gjithsej, duke mos siguruar shumicën e nevojshme.

Top Channel