Barcelona ideale edhe për Lorendanën/ Borussia Dortmund refuzon ofertën e parë për Adeyemin, por lë derën hapur për negociata

09/07/2026 19:32

Barcelona ka shfaqur interes konkret për transferimin e sulmuesit gjerman Karim Adeyemi, duke e konsideruar atë një mundësi të favorshme në merkaton e verës. Sipas raportimeve të Mundo Deportivo, edhe vetë futbollisti dëshiron të veshë fanellën blaugrana, duke synuar të realizojë një ëndërr që e ka prej vitesh.

Klubi katalanas i ka paraqitur Borussia Dortmundit një ofertë prej 20 milionë eurosh për 24-vjeçarin, por kjo ofertë është refuzuar nga drejtuesit e klubit gjerman, të cilët e kanë cilësuar si të pamjaftueshme.

Megjithatë, refuzimi nuk nënkupton mbylljen e negociatave. Borussia Dortmund i ka bërë të ditur Barcelonës se mbetet e gatshme të diskutojë një marrëveshje për Adeyemin. Klubi gjerman është i vetëdijshëm se sulmuesi ka vetëm një vit të mbetur në kontratë, nuk dëshiron ta rinovojë atë dhe ka si prioritet kalimin te Barcelona.

Nëse nuk arrihet një marrëveshje gjatë kësaj vere, Dortmund rrezikon ta humbasë lojtarin pa asnjë përfitim financiar verën e ardhshme, kur ai mund të largohet si futbollist i lirë. Pavarësisht kësaj, drejtuesit gjermanë besojnë se Adeyemi, si një lojtar i ri, reprezentues i Gjermanisë dhe me cilësi të spikatura fizike e teknike, ka ende një vlerë të konsiderueshme në treg.

Nga ana tjetër, Barcelona e ka pritur me qetësi refuzimin e ofertës së parë. Në klubin katalanas vlerësojnë se Adeyemi është një mundësi interesante në merkato, por jo prioriteti kryesor. Objektivi kryesor i Barcelonës mbetet afrimi i një sulmuesi qendre.

Kujtojmë se prej vitesh Adeyemi është në një lidhje me këngëtaren shqiptare, Loredana. Madje kjo e fundit qe përfolur se po e shtyn sulmuesin për të ndërruar ekip sepse nuk i pëlqente Dortmundi. E sigurt se me Barcelonën do të ishte e kënaqur.

Top Channel