12 masa sigurie për ish-funksionarë të Hipotekës së Durrësit dhe përfitues pronash, prokuroria zbulon skemën e dyshuar të tjetërsimit të tokave shtetërore

09/07/2026 16:49

Gjykata e Durrësit ka lëshuar 12 masa sigurie ndaj ish-funksionarëve të Hipotekës së Durrësit dhe personave të dyshuar si përfitues të pronave, në kuadër të një hetimi 4-vjeçar të Prokurorisë mbi një skemë të dyshuar të tjetërsimit të tokave.

Burime të pakonfirmuara ende zyrtarisht bëjnë me dije se personat e përfshirë dyshohen për falsifikim dokumentesh, mashtrim, shpërdorim detyre dhe pastrim të produkteve të veprës penale. Ekzekutimi i masave të sigurisë po bëhet nga policia e Durrësit.

Konkretisht: 

Shaqir Sheshi – arrest në shtëpi, i dyshuar për veprat penale të “Mashtrimit” dhe “Falsifikimit të dokumenteve”

Viktor Mataj – arrest në shtëpi, i dyshuar për penale të “Mashtrimit” dhe “Falsifikimit të dokumenteve”

Arianit Mataj – arrest në shtëpi, i dyshuar për penale të “Mashtrimit” dhe “Falsifikimit të dokumenteve”

Besnik Xhafa – arrest në shtëpi, i dyshuar për penale të “Mashtrimit” dhe “Falsifikimit të dokumenteve”

Fiqeret Xhafa – detyrim paraqitje,  i dyshuar për veprat penale të “Mashtrimit”, “Falsifikimit të dokumenteve” dhe “Pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”

Jonida Mergeja – detyrim për paraqitje, e dyshuar për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”

Leandro Dervishi – detyrim për paraqitje i dyshuar për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”

Artur Çobani – detyrim për paraqitje i dyshuar për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrë”

Ramazan Sheshi – arrest me burg – i dyshuar për veprat penale të “Mashtrimit”, “Falsifikimit të dokumenteve” dhe “Pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”

Adrian Kona – arrest me burg, i dyshuar për veprat penale të “Falsifikimit të dokumenteve” dhe “Shpërdorimit të detyrës”

Bledar Zerba – arrest me burg, i dyshuar për veprat penale të “Falsifikimit të dokumenteve” dhe “Shpërdorimit të detyrës”

Rovin Zeqja – arrest me burg, i dyshuar për veprat penale të “Falsifikimit të dokumenteve” dhe “Shpërdorimit të detyrës”

Sipas të njëjtave burime, hetimi nisi pas inventarizimit të regjistrave hipotekorë në Kadastrën e Durrësit, ku u konstatuan parregullsi të shumta në dokumentacion.

Nga 1063 regjistra të kontrolluar, vetëm 152 mësohet se kanë rezultuar të rregullt. Në pjesën tjetër u evidentuan faqe të zhdukura, të zëvendësuara, të dubluara ose të dëmtuara, gjë që ngriti dyshime për ndërhyrje të paligjshme në regjistrat e pronave.

Bazuar në këto gjetje, Prokuroria hetoi më tej, duke dokumentuar, sipas dyshimeve, një skemë të organizuar për tjetërsimin e pronave shtetërore përmes manipulimit të dokumenteve dhe procedurave të regjistrimit.

Aksioni policor për ekzekutimin e masave të sigurisë vijon, ndërsa pritet që Prokuroria dhe Policia të japin në orët në vazhdim detaje të mëtejshme mbi identitetin e personave të përfshirë dhe pronat që dyshohet se janë tjetërsuar.

Top Channel