Zjarri përfshin Porto Palermon gjatë natës, ndërhyrja e zjarrfikësve vë flakët nën kontroll

08/07/2026 09:49

Një zjarr me përmasa të mëdha përfshiu gjatë natës zonën e Porto Palermos, në Bashkinë Himarë, duke vënë në alarm strukturat e emergjencës.

Sipas informacioneve zyrtare, njoftimi për praninë e tre vatrave të zjarrit është marrë rreth orës 23-dhe menjëherë drejt vendngjarjes u nisën një automjet zjarrfikës dhe një autobot me ujë, ndërsa gjatë rrugës u vu në gatishmëri i gjithë efektivi i shërbimit zjarrfikës, duke u angazhuar edhe dy mjete të tjera për përballimin e situatës.

Falë ndërhyrjes së shpejtë dhe koordinimit të forcave në terren, flakët u vunë nën kontroll dhe zjarri u shua plotësisht. Aktualisht, një grup shërbimi vijon të qëndrojë në zonë për monitorim, me qëllim parandalimin e riaktivizimit të vatrave.

Në operacion morën pjesë i gjithë efektivi i shërbimit zjarrfikës, strukturat e Emergjencave Civile, Policia e Shtetit, Policia Bashkiake dhe shërbimi pyjor.

Shkaqet e zjarrit mbeten ende të paqarta dhe pritet të përcaktohen pas verifikimeve nga autoritetet kompetente. Nga ngjarja nuk raportohen persona të lënduar.

Top Channel