Babë e bir u dhunuan në banesën e tyre nga një polic 6 muaj më parë, Altin Meçaj: Prokuroria nuk më ka thirrur, nëse shteti nuk e zgjidh…

08/07/2026 10:17

Altin Meçaj, banor i fshatit Vjosë në njësinë administrative Cakran, emigrant në Gjermani, ka dalë në një deklaratë për mediat përpara Prokurorisë në Fier, lidhur me ngjarjen e ndodhur rreth gjashtë muaj më parë, kur ai dhe babai i tij Ylli pretendojnë se u dhunuan në banesën e tyre nga disa persona, mes tyre një polic i operacipnales në DVP Fier.

Meçaj deklaroi se, sipas tij, Prokuroria ende nuk e ka thirrur për të dhënë dëshmitë dhe provat e reja që pretendon se disponon mbi çështjen. Ai shtoi gjithashtu se personi që, sipas tij, është i përfshirë në ngjarje, është rikthyer në radhët e Policisë së Shtetit.

Kam fakte të reja. Nëse shteti nuk e zgjidh këtë çështje, atëherë do të detyrohem ta zgjidh vetë me metoda të tjera“, u shpreh Meçaj para gazetarëve.

Në deklaratën e tij ai bëri edhe një krahasim me ngjarje të rënda të së kaluarës, duke përmendur rastin e ndodhur në Libofsh në vitin ‘92. Sipas tij, mosveprimi i institucioneve mund të sjellë pasoja të rënda, ndaj u bëri thirrje organeve të drejtësisë të ndërhyjnë sa më shpejt dhe të zbardhin ngjarjen.

Deri në këtë moment nuk ka një reagim zyrtar nga Prokuroria apo Policia e Shtetit lidhur me pretendimet e ngritura nga Altin Meçaj.

I pyetur kryeprokurori i Fierit Helion Mustafaj ka pohuar se çështja është nën hetim dhe po shikohet me përparësi.

 

Top Channel