Mbyllet festivali “DOA” në Durrës/ Përfundon edicioni i dytë ndërkombëtar, fitues u shpall baritoni nga Azerbajxhani
Situata gjeopolitike në Evropë dhe botë, me konfliktin Rusi-Ukrainë, rivalitetin e heshtur SHBA-Kinë apo situatën në Lindjen e Mesme kanë diktuar interesin e lexuesve për vepra që kanë në fokus historinë dhe marrëdhëniet ndërkombëtare.
Lexuesit po kërkojnë botime që i ndihmojnë të kuptojnë më mirë ngjarjet që po formësojnë botën e sotme.
Alda Bardhyli: “Kemi rritje të interesit ndaj letërsisë distopike, ndaj letërsisë që trajton tema që kanë të bëjnë me autoritarizimin, sikurse është e shkuara komuniste, raportet mes historisë. Në këtë kontekst, aurorët që vijnë nga këto vende janë shumë interesantë”.
Arlinda Dudaj: “Rezonanca me librat është shumë e dukshme edhe për libra që janë shkruar një shekull më parë. Shpesh herë lexojmë për të mos e përsëritur historinë, por në fakt ajo përsëritet dhe përsëritet pikërisht për shkak të kësaj mungese të vetëdijes. Në momentin që lexojmë një libër, ai libër na rrëfen diçka, sepse letërsia ka forcën dhe magjinë që të futet në skutat më të thella të saj, duke na rrëfyer pjesën njerëzore. Një gjë është të lexosh për luftën dhe tjetër ta lexosh përmes “Lufta dhe Paqja” të Tolstoit”.
Duke folur edhe për ngjarjet në vendin tonë, veçanërisht protestat që vijojnë prej më shumë se një muaj në shesh, studiuesja Alda Bardhyli sheh një rikthim te klasikët si “Kështjella” e Franc Kafkës, që rrëfen luftën e pamëshirshme dhe të protagonistit me një me një autoritet të padepërtueshëm për t’u qasur në Kështjellë apo “Të poshtëruar” nga Lea Ypi që zhytet në të kaluarën e harruar të Europës, duke eksploruar se kush e zotëron historinë e një jete dhe kush ka të drejtë të flasë për të.
Alda Bardhyli: “Kemi një rikthim të autorëve klasikë, siç është ‘1984’, që ka pasur një popullaritet të madh për faktin që përpiqet të trajtojë temën e ndjeshme mes pushtetit dhe masave. Kemi rikthim të autorëve si Orëell, Kamy, Tolstoi e autorëve që kanë pasur në fokus të krijimtarisë së tyre luftën”.
Alda Bardhyli: “Ka disa libra interesantë që tregojnë përse protestat demokratike funksionojnë, se si protestat e paqta shpesh kanë më shumë mundësi të sjellin zhvillim. Në këtë kontekst, ka shumë libra që mund të analizohen në diskursin publik”.
Një libër i mirë është një ftesë për reflektim, që nxit mendimin kritik, thekson botuesja Arlinda Dudaj teksa sugjeron edhe vepra të autorëve shqiptarë.
Arlinda Dudaj: “Shkrimtarë të mëdhenj kanë shkruar libra të jashtëzakonshëm, që nëpërmjet historive personale kanë sjellë një epokë. Për shembull, Annie Ernaux flet për 1968, si ndryshoi bota. Por edhe librat e shkrimtarit tonë, Ismail Kadare apo Lea Ypit”.
Me ditët më të gjata që na ofrojnë më shumë kohë të lirë, së bashku me pushimet verore, kjo stinë i afron më shumë lexuesit me librin, që shpesh bëhet bashkudhëtari i udhëtimeve tonë.
Top Channel