Edicioni i dytë i festivalit ndërkombëtar DOA (Durrës Opera Art of Singing) ka ulur siparin me koncertin “Grand Opera Gala”, pas katër ditësh të mbushura me masterclass dhe aktivitete artistike që sollën në Durrës 21 solistë të rinj të operës nga 11 shtete.
Juria ndërkombëtare, me personalitete të njohura të operës si Inva Mula, pianisti dhe pedagogu Richard Barker, si dhe artistë e drejtues institucionesh prestigjioze, shpalli me vendim unanim fitues të çmimit të parë baritonin Mahir Taghizade nga Azerbajxhani.
Çmimi i dytë u nda mes mezzo-sopranos franceze Seraphine Cotrez dhe sopranos shqiptare Blerta Zhegu, e cila u vlerësua gjithashtu me Çmimin e Publikut dhe çmimin “Aleksandër Moisiu”. Çmimi i tretë iu dha baritonit Viktor Yankovskyi nga Ukraina.
Sipas jurisë, niveli artistik i këtij edicioni ishte jashtëzakonisht i lartë, duke e bërë përzgjedhjen e fituesve mjaft të vështirë. Ideatori dhe drejtori artistik i festivalit, baritoni shqiptar me karrierë ndërkombëtare Gëzim Myshketa, e cilësoi suksesin e këtij edicioni një hap të rëndësishëm drejt krijimit të një tradite të përvitshme operistike në Durrës.
“Ëndrra ime është që Durrësi të ketë një festival veror të përvitshëm dhe të bëhet një pikë referimi për operën në rajon”, shprehet Gëzim Myshketa.
Me pjesëmarrjen e artistëve, pedagogëve dhe menaxherëve të njohur ndërkombëtarë, DOA synon ta shndërrojë Durrësin në një qendër të rëndësishme të formimit operistik dhe një destinacion të ri të ekselencës artistike në Evropën Juglindore.
Top Channel