Barcelona transferon dy talente të spikatur nga Tenerife, njëri prej tyre cilësohet si “Pedri i ri”

06/07/2026 18:22

Barcelona ka zyrtarizuar transferimin e dy futbollistëve të rinj nga Tenerife, të cilët fillimisht do t’i bashkohen ekipit Barça Atletic. Vëmendjen më të madhe e ka marrë 18-vjeçari Joni Hernandez, i cili në Spanjë po krahasohet me yllin e Barcelonës, Pedri.

Klubi katalanas ka paguar 500 mijë euro për kartonin e Hernández, ndërsa Tenerife ka ruajtur 25% të të drejtave mbi një shitje të mundshme në të ardhmen. Marrëveshja përfshin gjithashtu bonuse shtesë, të cilat mund të aktivizohen nëse lojtari arrin objektiva të caktuar, madje edhe përmes transferimit të futbollistëve nga Barcelona drejt Tenerifes.

Së bashku me Hernandez, Barcelona ka afruar edhe mesfushorin 22-vjeçar Juan Ybarra. Ai ishte një nga lojtarët kyç të Tenerife B dhe ka debutuar edhe me ekipin e parë. Edhe pse konsiderohet disi i madh në moshë për ekipin B të Barcelonës, klubi shpesh afron futbollistë me më shumë përvojë për të shtuar cilësinë, thellësinë dhe lidershipin në skuadër.

Joni Hernandez është një sulmues krahu me këmbë të majtë, i cili aktivizohet kryesisht në krahun e djathtë. Ai njihet për teknikën, shpejtësinë dhe aftësinë në duelet një kundër një. Brenda një periudhe të shkurtër ai ka kaluar nga ekipet e moshave te Tenerife B, për të debutuar më pas edhe me ekipin e parë.

Ngjashmëritë me Pedrin nuk mbarojnë vetëm te stili i lojës. Hernandez, ashtu si mesfushori i Barcelonës, është lindur dhe rritur në Ishujt Kanarie dhe në një fazë të karrierës së tij ka qenë pjesë e akademisë së Las Palmas.

Për më tepër, ai shihet si një futbollist me potencial për të evoluar nga një anësor sulmues në një mesfushor kreativ. Sipas mediave spanjolle, Hernandez mund të ketë hyrë në radarët e Barcelonës pasi la mbresa në një përballje kundër ekipit të tyre të të rinjve.

Tashmë, drejtuesit katalanas besojnë se kanë zbuluar një tjetër “diamant të papërpunuar”, me shpresën se ai mund të ndjekë të njëjtën rrugë suksesi si Pedri.

Top Channel