14-vjeçarja gjendet e vrarë me plagë të shumta thike në Britani, bashkëmoshatari i saj përballet me akuzën për vrasje

06/07/2026 17:36

Një ngjarje e rëndë ka tronditur Britaninë e Madhe, ku një vajzë 14-vjeçare u gjet e pajetë në një park në Uells, ndërsa për vrasjen e saj është akuzuar një bashkëmoshatar.

Trupi i Lily Anne Jones u zbulua më 22 qershor në Dufferin Park, në qytetin Blaena, në Uellsin jugor. Dy ditë më parë, familja e saj kishte denoncuar zhdukjen e adoleshentes, pasi ajo ishte parë për herë të fundit pasditen e 20 qershorit në rrugët e qytetit.

Gjatë seancës së zhvilluar në Gjykatën e Kurorës Gwent, mjekja ligjore Caroline Saunders bëri të ditur se shkaku i vdekjes ishte plagët e shumta me thikë në qafë dhe në pjesën e bustit.

Për krimin është akuzuar një djalë 14-vjeçar, i cili doli para gjykatës më 29 qershor. Ai nuk e pranoi akuzën për vrasje dhe u la në paraburgim deri në seancën e ardhshme gjyqësore.

Gjyqtarja Tracey Lloyd-Clark njoftoi se procesi gjyqësor do të nisë më 23 nëntor dhe pritet të zgjasë rreth katër javë.

Policia bëri të ditur se i akuzuari është një shtetas britanik nga zona e Blaenau Gwent, në juglindje të Uellsit, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes vijojnë.

Ngjarja ka tronditur komunitetin lokal. Këshilltarja Lisa Catherine Wynette shprehu ngushëllimet për familjen e viktimës, duke deklaruar se mendimet dhe lutjet e saj janë me të afërmit e Lily-t në këtë moment të rëndë, ndërsa u bëri thirrje autoriteteve të zbardhin plotësisht krimin.

Top Channel