Zjarr në një sipërfaqe me ullishte në Drizë të Fierit, flakët avancojnë drejt depove të ujësjellësit

05/07/2026 13:10

Një sipërfaqe me ullishte është përfshirë nga flakët mesditën e sotme në Drizë, në Bashkinë Fier.

Pas njoftimit nga banorët, në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë shërbimet zjarrfikëse, të cilat po punojnë për vënien nën kontroll dhe shuarjen e flakëve, të favorizuara nga era.

Operacionit i janë bashkuar edhe banorët e zonës, të cilët po ndihmojnë zjarrfikësit me mjete rrethanore. Fatmirësisht, zjarri ndodhet larg qendrës së banuar, por banorët thonë se terreni i vështirë dhe mungesa e rrugëve që të çojnë në parcela po e vështirësojnë ndërhyrjen e mjeteve zjarrfikëse.

Për shkak të erës së fortë, flakët po avancojnë në drejtim të depove të ujësjellësit që furnizojnë me ujë të pijshëm qytetin e Fierit dhe zonën industriale, duke rritur shqetësimin për përhapjen e mëtejshme të zjarrit dhe nevojën për ndërhyrje të shpejtë.

Top Channel