Zyrtare/ Refuzoi Interin për Chelsean, mbrojtësi italian prezantohet te “Blutë”: Zgjodha kampionët e Botës

01/07/2026 17:15

Chelsea ka zyrtarizuar transferimin e mbrojtësit italian Marco Palestra nga Atalanta.

Futbollisti 21-vjeçar ka firmosur një kontratë afatgjatë me klubin londinez, e vlefshme deri në vitin 2033.

Sipas njoftimit të Chelseat, Palestra do t’i bashkohet skuadrës në përgatitjet për sezonin e ri nën drejtimin e trajnerit Xabi Alonso. Marrëveshja mes dy klubeve raportohet të ketë një vlerë prej 55 milionë eurosh, plus bonuse, ndërsa Atalanta do të përfitojë edhe 10% nga një transferim i mundshëm i lojtarit në të ardhmen.

Pas zyrtarizimit, mbrojtësi italian shprehu entuziazmin për aventurën e re në Premier League.

“Shumë gjëra më bindën t’i bashkohesha Chelseat, një prej klubeve më të mëdha në botë. Jam shumë i emocionuar dhe mezi pres të nis këtë kapitull të ri. E ndjeva besimin e klubit që nga momenti i parë dhe mezi pres të takoj tifozët, shokët e ekipit dhe trajnerin”, u shpreh Palestra.

Ai vlerësoi gjithashtu projektin e klubit dhe trajnerin Xabi Alonso.

“Kemi një skuadër me shumë cilësi dhe një trajner si Xabi Alonso, i cili më ka shpjeguar idetë e tij për lojën. Është një projekt shumë emocionues dhe mezi pres të garoj në Premier League”, shtoi italiani.

Palestra i dha fund aventurës së tij 11-vjeçare te Atalanta me një mesazh prekës në rrjetet sociale.

“Erdha në Bergamo si fëmijë. Atalanta ishte shumë më tepër se një klub, ishte vendi ku u rrita si futbollist dhe si njeri. Falënderoj familjen Percassi, drejtuesit, trajnerët, stafin, shokët e skuadrës dhe tifozët që besuan tek unë gjatë gjithë këtij rrugëtimi. Këto kujtime do t’i mbaj gjithmonë me vete”, shkroi ai në Instagram.

Top Channel