Në kulmin e sezonit veror kur pritshmëritë janë për më shumë turistë, konsum dhe të ardhura në buxhet besimi në ekonomi ka nisur të japë sinjale ngadalësimi.
Teksa Shqipëria hyn në muajt më të nxehtë bizneset e shërbimeve po shfaqen më pak optimiste se një muaj më pare.
Sinjali vjen në një moment kur hoteleria, restorantet, baret dhe aktivitetet e lidhura me turizmin përgatiten për ecurinë më të lartë të aktivitetit. Bizneset raportojnë vlerësime më pak pozitive për aktivitetin aktual dhe për nivelin e kërkesës, duke lënë të kuptohet se pritshmëritë për sezonin nuk janë aq të larta sa në vitet e mëparshme.
Edhe ndërtimi nga ana tjetër pësoi një rënie të lehtë prej 0.8 pikësh, kryesisht për shkak të tkurrjes së kontratave porositëse, ndërsa konsumatorët rezultojnë disi më optimistë për financat e tyre dhe blerjet në shuma të mëdha.
Dobësimi i sektorëve ndikoi edhe në rënien e treguesit të përgjithshëm të ndjesisë ekonomike, i cili u ul me 0.6 pikë gjatë qershorit. Megjithatë, ekonomia mbetet në territor pozitiv, me treguesin që vijon të qëndrojë mbi mesataren historike.
Ndryshe nga shërbimet dhe ndërtimi, tregtia shënoi përmirësimin më të fortë. Besimi në këtë sektor u rrit me 2.8 pikë përqindje, ndërsa bizneset raportojnë ecuri më të mirë të aktivitetit dhe shitjeve. Edhe industria regjistroi rritje me 0.6 pikë, e mbështetur nga pritjet më optimiste për porositë dhe eksportet.
Të dhënat tregojnë se ekonomia shqiptare vijon të mbetet në territor pozitiv, por vera e këtij viti po nxjerr në pah ritme të ndryshme zhvillimi mes sektorëve. Ndërsa tregtia dhe industria po fitojnë terren, shërbimet, sektori që përfiton më shumë nga fluksi turistik, po jep sinjale më të kujdesshme për muajt në vijim.
Top Channel