Hetimet ndaj Alessandro Bastonit, avokati mohon akuzat: Nuk ka kryer asnjë marrëdhënie me pagesë, aq më pak me një të mitur

01/07/2026 22:14

Mbrojtësi i Interit dhe i kombëtares italiane, Alessandro Bastoni, vijon të jetë në qendër të një hetimi të Prokurorisë së Milanos, ndërsa avokati i tij ka mohuar kategorikisht akuzat që lidhen me një marrëdhënie të dyshuar me pagesë me një vajzë të mitur.

Bastoni ishte thirrur të paraqitej në Prokurori të premten në mëngjes, por sipas mediave italiane, futbollisti pritet të mos paraqitet. Vendimi përfundimtar mbi këtë çështje pritet të bëhet i ditur gjatë ditës së nesërme.

Avokati i tij, Salvatore Scuto, deklaroi se klienti i tij nuk ka pasur asnjëherë marrëdhënie seksuale me pagesë.

“E përjashtoj kategorikisht që Alessandro Bastoni të ketë pasur marrëdhënie me pagesë, aq më tepër me një të mitur”, u shpreh ai.

Sipas mbrojtjes, thirrja e Bastonit nga Prokuroria është bërë pa një kuadër të qartë të akuzave, duke e cilësuar atë si një “thirrje në errësirë”.

Çfarë ka deklaruar vajza?

Edhe vajza e përfshirë në hetim ka mohuar versionin e akuzës.

Sipas dëshmisë së saj para hetuesve, ajo ka deklaruar: “Nuk jam prostitutë dhe nuk kam marrë para për të kryer marrëdhënie seksuale.”

Ngjarja që po hetohet daton në korrik të vitit 2020, kur vajza ishte 17 vjeçe, ndërsa Bastoni 21 vjeç.

Sipas pretendimeve të Prokurorisë, të dy janë takuar fillimisht në Cinisello Balsamo dhe më pas kanë shkuar në banesën e futbollistit. Burime pranë hetimeve bëjnë të ditur se ky është deri tani i vetmi episod ku dyshohet për përfshirjen e një të miture.

Në hetim edhe futbollistë të tjerë

Ndërkohë, Prokuroria ka caktuar edhe marrjen në pyetje të disa futbollistëve të tjerë si persona që mund të kenë dijeni për ngjarjen.

Riccardo Calafiori dhe Kevin Bonifazi pritet të dëshmojnë javën e ardhshme, ndërsa Daniel Maldini ka gjasa të merret në pyetje një javë më vonë.

Megjithatë, mediat italiane raportojnë se lista e personave që do të dëgjohen mund të zgjerohet, pasi hetuesit vijojnë analizën e përgjimeve telefonike dhe nuk përjashtohen zhvillime të reja në ditët në vijim.

Deri në këtë fazë të procedurës, ndaj Bastonit nuk është shpallur asnjë vendim gjyqësor dhe hetimet nga autoritetet italiane vazhdojnë.

Top Channel