Lufta kundër piraterisë digjitale dhe mbrojtja e të drejtave të autorit po marrin një vëmendje gjithnjë e më të madhe në procesin e integrimit europian të Shqipërisë.
Në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Integrimit Europain, institucionet përgjegjëse paraqitën progresin e arritur dhe sfidat që mbeten në kuadër të negociatave.
Nga Këshilli kryetarja e Autoritetit të Mediave Audiovizive, Armela Krasniqi prezantoi një panoramë të masave të ndërmarra kundër shpërndarjes së paligjshme të përmbajtjeve audiovizive ndërsa njoftoi se rreth 10 servera u mbyllën në 2025.
“Format e piraterisë kanë ndryshuar ndjeshëm me zhvillimin e teknologjisë, duke u zhvendosur nga kopjimi fizik i materialeve drejt IPTV-ve ilegale, aplikacioneve të paautorizuara dhe rrjeteve të organizuara në platformat sociale. Përballë këtij fenomeni, AMA ka rritur monitorimin dhe aktivitetin hetimor, duke identifikuar dhe goditur një sërë skemash të paligjshme.
Gjatë vitit 2025 janë mbyllur 10 serverë që operonin në Shqipëri dhe shpërndanin pa të drejta përmbajtje audiovizive, ndërsa në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë janë bllokuar serverë të lokalizuar në Rumani, Angli dhe Francë. Po ashtu, janë identifikuar 11 grupe në platformën Telegram që merreshin me shitjen dhe shpërndarjen e paligjshme të produkteve audiovizive shqiptare”, u shpreh kryetarja e AMA-s, Armela Krasniqi.
Megjithëse Shqipëria vlerësohet mesatarisht e përgatitur në fushën e pronësisë intelektuale, përfaqësuesit e institucioneve theksojnë se sfida kryesore mbetet zbatimi efektiv i legjislacionit.
“Shqipëria është mesatarisht e përgatitur në fushën e pronësisë intelektuale dhe mesazhi i BE në fazën ku jemi nuk mjaftohet ligje të mira por zbatimi i mirë. Kemi rezultate konkrete në luftën kundër korrupsionit krimit të organizuar por jo në luftën kundër shkeljeve të pronësisë intelektuale me një fokus te pirateria digjital dhe audiovizive. BE pret një përafrim të plotë të direktivës për shërbimet audiozivove, aktin e tregjeve digjitale dhe aktin e lirisë së mediave”, u shpreh kryetari i KKIE-s, Taulant Balla.
Nga Këshilli autoritetet shqiptare prezantuan si objektiv përshpejtimin e përafrimit me direktivat europiane për shërbimet audiovizive, Aktin e Tregjeve Digjitale dhe Aktin Europian për Lirinë e Mediave, me qëllim përmbylljen e Kapitullit 7 për Pronësinë Intelektuale brenda vitit 2026.
Top Channel