Qeveria do të miratojë pasditen e sotme rishikimin e parë të Buxhetit të Shtetit për vitin 2026 përmes një Akti Normativ, duke shtuar 20.1 miliardë lekë në të ardhurat dhe shpenzimet e planifikuara, pa ndryshuar nivelin e deficitit buxhetor.
Drafti i ndryshimeve, të cilin Ekofin.al e disponon ekskluzivisht, përmban një paketë të gjerë ndërhyrjesh financiare që prekin një pjesë të madhe të ministrive, institucionet kryesore dhe pushtetin vendor.
Sipas dokumentit, rishikimi bazohet në performancën pozitive të pesëmujorit të parë të vitit, ku të ardhurat buxhetore janë realizuar mbi pritshmëritë fillestare, duke krijuar hapësira për financimin e prioriteteve të reja pa rritur deficitin dhe pa devijuar nga objektivat e konsolidimit fiskal.
Të ardhurat dhe shpenzimet rriten me 20.1 miliardë lekë, deficiti nuk ndryshon
Me ndryshimet e propozuara, të ardhurat e përgjithshme të buxhetit arrijnë në 843.1 miliardë lekë, ose 20.1 miliardë lekë më shumë se plani fillestar, një rritje prej 2.4%.
Sipas Ekofin.al edhe pse të ardhurat dhe shpenzimet rriten me të njëjtën shumë, deficiti buxhetor mbetet i pandryshuar në 63.7 miliardë lekë.
Qeveria synon të ruajë trajektoren rënëse të borxhit publik ndaj Prodhimit të Brendshëm Bruto, duke respektuar rregullat fiskale të parashikuara në Ligjin Organik të Buxhetit.
Pensionet indeksohen tre muaj më herët
Një nga ndryshimet është përshpejtimi i indeksimit të pensioneve. Në vend që rritja të hynte në fuqi më 1 tetor, siç ishte planifikuar fillimisht, ajo do të zbatohet nga 1 korriku 2026.
Për këtë qëllim, Institutit të Sigurimeve Shoqërore i shtohen 872 milionë lekë, të cilat mbulojnë efektin financiar të indeksimit prej 2.7%. Qeveria argumenton se kjo ndërhyrje synon të zbusë më shpejt efektet e inflacionit mbi pensionistët.
4.5 miliardë lekë shtesë për shëndetësinë dhe mbrojtjen sociale
Përfituesi më i madh i rishikimit është Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, e cila merr rreth 4.5 miliardë lekë shtesë. Paketa përfshin: 750 milionë lekë për dyfishimin e pagesës për 10,720 fëmijë me aftësi të kufizuara, me efekt nga 1 korriku; 674 milionë lekë për pagesën e kontributeve të sigurimeve shoqërore për 14,657 kujdestarë të personave me aftësi të kufizuara, duke filluar nga 1 tetori;
1.5 miliardë lekë për furnizimin me barna onkologjike në spitalet publike; 150 milionë lekë për rritjen e pagave të rreth 400 mjekëve dhe 1,200 teknikëve të shkencave mjekësore në urgjencën spitalore dhe atë parësore; 100 milionë lekë shtesë për fondin e kompensimit të ish-të përndjekurve politikë; 700 milionë lekë për pajisje të reja spitalore, laboratorike dhe zhvillimin e infrastrukturës dixhitale të shëndetësisë.
Mbrojtja përfiton mbi 10 miliardë lekë
Një tjetër përfitues i madh është Ministria e Mbrojtjes. Projekt-Akti Normativ parashikon shtimin e 300 efektivëve të rinj në Forcat e Armatosura; 10.3 miliardë lekë shtesë për shpenzime operative dhe investime.
Me këtë financim, buxheti i mbrojtjes arrin në 2.6% të PBB-së, ndërsa shpenzimet “Core Defence” arrijnë në 2.2% të PBB-së, duke përmbushur objektivat e NATO-s.
Arsimi merr fonde shtesë
Për Ministrinë e Arsimit parashikohen rreth 750 milionë lekë shtesë. Fondet do të përdoren për programin e Arsimit Bazë; financimin e teksteve falas; mbështetjen e ndërmarrjeve që ofrojnë shërbime për studentët; 250 milionë lekë investime në shkolla dhe universitete.
Policia dhe Gjendja Civile marrin fonde shtesë
Ministrisë së Brendshme i shtohen 664 milionë lekë. Nga këto 378 milionë lekë shkojnë për Policinë e Shtetit për indeksimin e pagave dhe shtesat mbi pagë; 100 milionë lekë për mirëmbajtjen e sistemit “Live Scanner”; 286 milionë lekë për punonjësit e Gjendjes Civile pas riorganizimit të strukturave; 30 milionë lekë për Agjencinë e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara (AAPSK) dhe prefekturat.
Mbështetje për biznesin dhe start-upet
Ministrisë së Ekonomisë i shtohen rreth 1.6 miliardë lekë.
Ndër masat kryesore janë 300 milionë lekë për skemën e granteve “Start-Up Albania”, pasi numri i aplikimeve është trefishuar; 80 milionë lekë për garancitë e programit “Dyfisho Biznesin Tënd”; rreth 190 milionë lekë për krijimin e një shoqërie të re shtetërore që do të administrojë ndërmarrjet në likuidim.
Gjithashtu zgjerohet edhe Garancia Sovrane, e cila nuk do të kufizohet më vetëm tek fermerët, por do të mbështesë edhe ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme në të gjithë sektorët e ekonomisë, siç është njoftuar më herët.
6.5 miliardë lekë për Fondin Shqiptar të Zhvillimit
Një nga zërat më të mëdhenj të investimeve është ai për Fondin Shqiptar të Zhvillimit.
Institucioni përfiton 6.5 miliardë lekë financim shtesë nga buxheti; 1 miliard lekë shtesë nga financimet e huaja.
Fondet do të përdoren për projekte infrastrukturore; blerje makinerish; blerje autobusësh për bashkitë; si edhe financimin e projekteve me ritëm të lartë realizimi.
Financime për institucione të tjera
Ndryshimet prekin edhe një sërë institucionesh të tjera. SPAK përfiton 200 milionë lekë për rikonstruksion, pajisje elektronike dhe siguri kibernetike. Ministrisë së Financave i shtohen 532 milionë lekë, kryesisht për Agrokredit dhe modernizimin e sistemit doganor ASYCUDA.
Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit merr 445 milionë lekë, për kuota në organizata ndërkombëtare, shpërblime për sportistët elitarë dhe investime në Galerinë Kombëtare të Arteve dhe Teatrin “Aleksandër Moisiu”.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve merr 99 milionë lekë për përgatitjet e zgjedhjeve vendore të vitit 2027.
Ndërkohë rreth 300 milionë lekë ndahen për institucione të pavarura si ILDKPKI, Autoriteti i Konkurrencës, ATSH, AKSK, Komisioneri për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi dhe institucione të tjera.
Edhe Ministria e Bujqësisë përfiton 164 milionë lekë shtesë për projektet e ujitjes dhe kullimit.
Rriten të ardhurat e bashkive
Edhe buxheti vendor ndryshon. Të ardhurat e bashkive rriten me 14 miliardë lekë, pas një performance rekord gjatë pesëmujorit të parë të vitit.
Vetëm gjatë periudhës janar-maj, njësitë e vetëqeverisjes vendore kanë mbledhur 28.5 miliardë lekë të ardhura nga taksat lokale, ose 90% më shumë se një vit më parë.
Rritja është udhëhequr kryesisht nga taksa e ndikimit në infrastrukturë, e cila është rritur me 10.8 miliardë lekë, kryesisht në Tiranë dhe bashkitë bregdetare si Himara; taksa e pasurisë, e cila ka sjellë 784 milionë lekë më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Nga ana e shpenzimeve, bashkitë do të marrin 114 milionë lekë shtesë për Shërbimin e Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit; si edhe 90 milionë lekë shtesë në transfertën e pakushtëzuar, si rezultat i rritjes së PBB-së.
Ndryshime dhe riorganizime administrative
Akti Normativ reflekton edhe riorganizimin e administratës publike, duke përshtatur fondet dhe numrin e punonjësve për reformën e inspektoriateve, si dhe transferimin e punonjësve të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit drejt Gjykatës Kushtetuese pas përfundimit të mandatit të institucionit.
Në tërësi, rishikimi i parë i Buxhetit 2026 përfaqëson një paketë prej rreth 20.1 miliardë lekësh, e orientuar kryesisht drejt politikave sociale, mbrojtjes, shëndetësisë, investimeve publike dhe mbështetjes së biznesit.
Top Channel