Rikthehen bisedimet për paqe mes SHBA-së dhe Iranit, ekipet teknike priten të takohen në Katar

29/06/2026 15:52

Shtetet e Bashkuara dhe Irani do të vijojnë bisedimet për zbatimin e marrëveshjeve të arritura mes tyre, përmes takimeve të ekipeve teknike që pritet të zhvillohen në Doha, kryeqytetin e Katarit.

Sipas një burimi diplomatik të cituar nga CNN, këto bisedime synojnë të mbajnë hapur komunikimin mes dy vendeve dhe të shmangin përshkallëzimin e incidenteve që mund të rrisin tensionet në rajon.

Burimi ka bërë të ditur se tashmë janë krijuar kanale komunikimi mes palëve dhe se takimet teknike do të vijojnë në ditët në vijim, në funksion të zbatimit të marrëveshjeve ekzistuese.

Ndërkohë, presidenti amerikan Donald Trump deklaroi përmes një postimi në rrjetet sociale se negociatorët amerikanë dhe iranianë do të takohen të martën, duke konfirmuar vazhdimin e procesit të dialogut.

Takimi në Doha konsiderohet një hap i rëndësishëm për uljen e tensioneve mes Uashingtonit dhe Teheranit, ndërsa detajet mbi axhendën e bisedimeve nuk janë bërë ende publike.

Top Channel