Pse vapa s’është si dikur, fizikania: Rekordet e vapës po zgjasin më shumë dhe po bëhen më ekstreme

29/06/2026 12:09

Valët rekord të të nxehtit kanë rikthyer edhe një herë pohimin e njohur, “Edhe 40 vite më parë bënte vapë.” Sipas fizikanes italiane Gabriella Greison, kjo është e vërtetë, por vetëm pjesërisht dhe nuk shpjegon realitetin e ndryshimeve klimatike.

Greison thekson se problemi nuk është ekzistenca e ditëve shumë të nxehta në të kaluarën, por fakti që sot rekordet e temperaturave po kapërcehen gjithmonë e më shpesh, me diferenca më të mëdha, zgjasin më shumë dhe shfaqen në të njëjtën kohë në rajone të ndryshme të botës.

Sipas saj, klima nuk funksionon si një termometër, zhiva e të cilit reagon në mënyrë lineare, por si një sistem kompleks ku ndërveprojnë atmosfera, oqeanet, akujt, rrymat ajrore dhe toka. Edhe një rritje e vogël e temperaturës mesatare rrit ndjeshëm gjasat për ngjarje ekstreme, si valët e të nxehtit, thatësirat dhe stuhitë.

Fizikania shpjegon gjithashtu se ndryshimet klimatike ushqehen nga mekanizma vetëpërforcues. Për shembull, toka e thatë avullon më pak ujë, humbet më pak nxehtësi dhe nxehet edhe më shumë, duke krijuar një cikël që përkeqëson temperaturat.

“Mohimi i ndryshimeve klimatike shpesh buron nga një mënyrë e gabuar e të kuptuarit të klimës, duke u fokusuar te ngjarjet e veçanta dhe jo te sjellja e të gjithë sistemit klimatik”, pohon Greison.

“Sfida kryesore nuk është vetëm temperatura, por sasia në rritje e energjisë që sistemi klimatik po grumbullon”, shton ajo.

Ulja e emetimeve të gazeve serrë, rritja e efikasitetit energjetik dhe investimet në energjinë bërthamore të gjeneratës së re dhe burimet e rinovueshme konsiderohen, sipas saj, masa të domosdoshme për të kufizuar ngrohjen globale.

Top Channel