Italia përballet me stuhi dhe përmbytje, ndërsa vala e të nxehtit nis të zbutet

29/06/2026 12:18

Italia po kalon nga temperaturat ekstreme te moti i paqëndrueshëm, me stuhi të forta që kanë goditur disa zona të vendit duke shkaktuar përmbytje dhe rrëshqitje toke.

Në rajonin Alto Adige, reshjet intensive sollën probleme të shumta, ku në disa zona ranë rreth 50 milimetra shi brenda vetëm një ore. Disa banorë u detyruan të largoheshin nga banesat e tyre, ndërsa zjarrfikësit shpëtuan një person që kishte mbetur i bllokuar në një garazh pasi një lumë doli nga shtrati në zonën e Meranos.

Paralajmërime për përmbytje janë dhënë edhe në Milano, ndërsa vala e fundit e të nxehtit ka nisur të dobësohet gradualisht.

Megjithatë, temperaturat mbeten ende të larta. Në disa zona të Italisë pritet që termometri të arrijë 37-38 gradë Celsius, ndërsa në Luginën e Lumit Po dhe në zonat e brendshme të Sardenjës mund të afrohet sërish pranë 40 gradëve.

Meteorologët parashikojnë se nga mesi i javës mund të ketë stuhi më të forta, përpara se temperaturat të rikthehen mbi mesataren për këtë periudhë.

Top Channel