Foto/ Nga skena në tribunat e Botërorit, artistja e njohur amerikane bëhet dëshmitare e një prej ndeshjeve më dramatike të turneut

26/06/2026 10:46

Ylli i muzikës pop, Sabrina Carpenter, ishte një nga të ftuarat surprizë në Kupën e Botës 2026, duke ndjekur nga tribunat e stadiumit “MetLife” në New Jersey fitoren spektakolare 2-1 të Ekuadorit ndaj Gjermanisë.

Këngëtarja e hitit “Espresso” la për pak kohë skenën dhe studion muzikore për të shijuar emocionet e futbollit, madje u pa duke ndjekur ndeshjen me dylbi nga tribuna.

Gjermania, katër herë kampione e botës, e nisi sfidën në mënyrën më të mirë të mundshme, me Leroy Sané që realizoi golin e avantazhit që në minutën e dytë.

Megjithatë, Ekuadori reagoi në mënyrë fantastike. Nilson Angulo dhe Gonzalo Plata përmbysën rezultatin, duke i dhuruar ekipit një fitore historike 2-1 dhe kualifikimin në fazën e 1/32-ave si një nga kombëtaret e treta më të mira.

Pas vërshëllimës së fundit, festa ishte e jashtëzakonshme. Trajneri i Ekuadorit, Sebastián Beccacece, shpërtheu në festë, fillimisht duke përqafuar stafin e tij dhe më pas duke u ngjitur në tribunë për të përqafuar familjarët, në një skenë që u bë menjëherë virale në rrjetet sociale.

Edhe futbollistët e Ekuadorit nuk i fshehën emocionet. Mesfushori i Chelseat, Moisés Caicedo, u shtri në fushë nga gëzimi, ndërsa tifozët shpërthyen në lot dhe festime pas një prej rikthimeve më të bukura të këtij Botërori.

Mes mijëra tifozëve që përjetuan këtë mbrëmje të paharrueshme ishte edhe Sabrina Carpenter, e cila pati fatin të ishte dëshmitare e një prej ndeshjeve më dramatike të turneut deri më tani.

Top Channel