Interesi i të huajve për të investuar në Shqipëri vijon të rritet nga viti në vit. Këtë interes e konfirmojnë edhe shifrat e Bankës së Shqipërisë mbi investimet e huaja në vend, të cilat për tremujorin e parë të vitit arritën në 404 mln euro, niveli më i lartë i regjistruar për këtë periudhë në katër vitet e fundit, 12% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Një ecuri e tillë e investimeve ka bërë që stoku të rritet ndjeshëm duke arritur në total në 17.4 mld euro. Por orientimi mbetet i përqendruar në disa sektorë kryesorë.
Vetë banka qendrore konfirmon se gjatë periudhës janar-mars të këtij viti aktivitetet e pasurive të paluajtshme kanë tërhequr rreth 172 milionë euro, ose mbi 40% të totalit të investimeve të reja. Në vend të dytë renditen aktivitetet financiare dhe të sigurimit me 68 milionë euro, të ndjekura nga energjia me 38 milionë euro dhe industria përpunuese me 30 milionë euro.
Por nëse ndalemi në gjeografinë e investitorëve të huaj, rezulton se Austria kryeson me 60 milionë euro investime, e ndjekur nga Italia, Holanda dhe Turqia.
Tendenca mbetet pozitive, ndërsa pritshmëritë janë që investimet e huaja të vijojnë të mbështesin rritjen ekonomike edhe gjatë muajve në vijim. Megjithatë, ekspertët theksojnë se sfida mbetet tërheqja e kapitalit të huaj drejt sektorëve me vlerë të shtuar për ekonominë.
INVESTIMET E HUAJA DIREKTE
T1 2023 312 mln euro
T1 2024 354 mln euro
T1 2025 361 mln euro
T1 2026 404 mln euro
(Burimi: Banka e Shqipërisë)
INVESTIMET E HUAJA SIPAS SEKTORËVE (mln euro)
Aktivitete të pasurive të paluajtshme 172
Aktivitete financiare dhe te sigurimit 68
Industria nxjerrëse 15
Energjia elektrike, gazi, dhe furnizimi me ujë 38
Industria përpunuese 30
Informacioni dhe komunikacioni 23
(Burimi: Banka e Shqipërisë)
GJEOGRAFIA E INVESTITOREVE TE HUAJ (mln euro)
Austria 60
Italia 49
Hollanda 48
Kosova 32
Turqia 47
(Burimi: Banka e Shqipërisë)
Top Channel