Chelsea ka arritur marrëveshje me Atalantën për transferimin e mbrojtësit të djathtë Marco Palestra, sipas gazetarit Fabrizio Romano.

Klubi londinez ka mposhtur konkurrencën e Interit, të cilët më herët ishin favoritë për nënshkrimin e tij.

Sipas raportimeve, Chelsea do të paguajë rreth 55 milionë euro për talentin italian, duke tejkaluar ofertën prej 50 milionë eurosh të Interit.

Trajneri i ri i Chelsea-s, Xabi Alonso, thuhet se ka luajtur një rol kyç në këtë transferim, me Palestrën që pritet të jetë afrimi i parë zyrtar nën drejtimin e tij.

Mbrojtësi italian shpërtheu sezonin e kaluar në huazim te Cagliari, ku regjistroi 37 paraqitje në Serie A dhe kontribuoi me pesë gola dhe asiste, duke fituar edhe çmimin “Mbrojtësi i Vitit” në kampionat.

Ardhja e Palestrës tregon qartë planet taktike të Xabi Alonsos, i cili pritet të rikthejë sistemin me tre mbrojtës, skemë që e përdori me sukses te Bayer Leverkusen.

Në këtë skemë, Palestra pritet të luajë si mbrojtës i djathtë ofensiv, ndërsa kapiteni Reece James mund të zhvendoset në qendër të mbrojtjes për shkak të problemeve me dëmtimet.

Nga ana tjetër, ky transferim mund të ndikojë edhe në të ardhmen e Malo Gusto, i cili është lidhur së fundmi me një kalim të mundshëm te Manchester City.

Top Channel